Nga Alfred Peza
Ndryshe nga vitet e tjera, 2019 ka hyrë jo vetëm pa zhurmat e ndërrimit të viteve të shkuara, por edhe pa dozën e ndonjë hareje të sforcuar e false. Dukshëm, tregues i një gjendje maturie shoqërore, që i bënte deri dje festat e fundvitit, jo thjeshtë dhe vetëm një lloj cirku gënjeshtar masiv dhe si një shfaqje butaforie publike pa thelb, por shumë më tepër se kaq. Kjo e kësaj here, i bën ditët e ndërrimit të viteve, një stacion të rëndësishëm bilancesh për të shkuarën dhe një moment kalkulimi të përmbajtur, për të ardhmen.
Ndryshe nga Europa e sotme dhe demokracia perendimore në përgjithësi, debati në Shqipëri nuk është mes populistëve, ekstremistëve, elitave dhe rrymave të tjera që po dominojnë ndarjen e re të një demokracie të vjetër. Debati nuk është gjithashtu as mes grupimeve antisistem, anti- establishment apo grupeve nacionaliste të ekstremit të djathtë. As mes forcave reale që ndikojnë lëvizjet e reja shoqërore të ekstremit të majtë apo grupimeve që orientohen kundër “oligarkëve” apo “oligarkisë”, si një qëllim në vetëvete.
Debati në Shqipëri, vazhdon që të mbetet i ngërthyer në kurthin e një sistemi bipolar, vetëm brendapërbrenda dy blloqeve të konsoliduara të cadres së klasës politike. Shtrirja e spektrit të sistemit politik në Shqipëri, për shkak të ripozicionimit të LSI pas zgjedhjeve parlamentare të 2017, nuk ndahet më si dikur në të majta, të qendrës dhe deri në qendrën e djathtë apo më tej. Ajo është rrudhur tashmë gjithmonë e më shumë, brenda dy poleve politike, në mazhorancë dhe në opozitë.
Ky polarizim i skajshëm i gjithë hapësirës demokratike në dy pika kyçe interesi, ka ndikuar, ka infektuar dhe ndarë qartazi prej kohësh si me thikë, edhe palët shoqërore të vendit. Mjafton që për 2018-tën të sjellim në vëmendje, provat e gjalla që solli procesi i vettingut. Më shumë se gjysma e prokurorëve dhe gjyqtarëve që kaluan nëpër këtë filtër,- rreth 50 u përjashtuan ose u dorëhoqën,- treguan se polarizimi ekstrem kishte përfshirë thellë jo vetëm pushtetin ekzekutiv dhe legjislativ, por edhe atë të drejtësisë. Një qasje e ngjashme kjo, edhe për “pushtetet” e tjera me ndikim në jetën e vendit, duke nisur nga ai mediatik, ekonomik, etj.
Edhe kur nuk kontrollohen prej tyre, edhe kur hallet e grupeve të ndryshme të interesit drejtohen kundër sistemit në tërësi, palët opozitare kryesisht, vrapojnë që ti përvetësojnë kauzat qytetare, studentore, etj. duke i uzurpuar fillimisht, për ti përdorur politikisht e për ti zhbërë ato në fund. Nga frika me sa duket, se zërat opozitarë të veçuar deri sot, mund të zëvendësojnë opozitarizmin zyrtar të derisotëm. Pasqyrë e kësaj rezultanteje, janë qëndrimet, debatet dhe përplasjet publike qoftë në mediat tradicionale, por sidomos në ato të rejat online dhe në rrjetet sociale në përgjithësi.
Debatet që burojnë nga dy grupimet e mëdha të gjenerimit të interesave kryesore në vend, vazhdojnë ta mbajnë shoqërinë të polarizuar në ekstrem, si të ishin dy grupime tifozësh të të njëjtit qytet të dy ekipeve rivale për vdekje, deri në përjetësi. Fakti që as protesta e studentëve si “një shpresë për shoqërinë”, nuk u shkëput dot nga ky ndikim (opozita ishte më e frikësuar nga refuzimi i prerë, sesa mazhoranca për mungesën e uljes në dialog e debat) është shenjë e qartë se kjo gjendje e fundvitit 2018, do vijojë ta dominojë jetën shoqërore në përgjithësi, edhe përgjatë vitit të ri 2019.
Në ndryshim nga viti që sapo lamë pas, përgjatë 52 javëve të këtij viti, Shqipëria do të hyjë në një proces të ri zgjedhor më 30 qershor, për pushtetin lokal. Pas ndarjes së re administrative- territorial të vendit, është hera e dytë që partitë futen në garën elektorale për drejtimin e 61 bashkive të vendit. Në ndryshim nga hera e parë, këtë radhë PS do të konkurojë e vetme me kandidatët e saj, për të gjitha bashkitë e Republikës. Socialistët kanë ndryshim nga opozita aktuale, e cila ka përfaqësim në drejtimin e bashkive edhe nga PD, edhe nga LSI por edhe nga PDIU e PBDNJ. Këto zgjedhje janë një test real për të parë mbështetjen popullore për mazhorancën dhe opozitën, në mesin e mandatit të dytë qeverisës të Kryeministrit Edi Rama.
Opozita me siguri që do të mundohet që ta shndërrojë mesin e vitit, në një referendum kundër qeverisë me shpresën se një rezultat pozitiv do ti garantojë nisjen e marshimit të pandalshëm drejt rikthimit në pushtet. Ndërkohë që me fitoren e synuar, mazhoranca pritet të ngrejë një bazë të re sigurie jo vetëm për vijimin e pashqetësuar të mandatit të dytë. Më shumë sesa kaq, ajo mund të shpërbejë si një start i ri, për të tentuar fitoren e mandatit të tretë. Se kush prej këtyre dy rrugëve, qasjeve dhe filozofive do të triumfojë, kjo mbetet për tu parë. E sigurtë është që tani se 2019 hyri ndryshe, duke ngjallur shpresën se i tillë mund të jetë, deri në fund.