Televizioni shtetëror turk ka transmetuar një video ekskluzive ku shihet një person duke dalë nga konsullata e Arabisë Saudite në Stamboll me çanta në duar në të cilat dyshohet se gjendeshin pjesët e trupit të gazetarit të vrarë Jamal Khashoggi.
Në video duket personi ende i paidentifikuar duke nxjerrë pesë çanta të zeza sportive nga dalja kryesore e Konsullatës në të cilën gazetari Khashoggi u vra në fillim të tetorit.
Edhe pas publikimit të videos ende nuk ka një reagim nga autoritetet saudite sa i përket faktit se çfarë ndodhej brenda çantave.
Jamal Khashoggi ishte një kritik i princit të kurorës Muhammed bin Salman. Ai u vra nga një ekip agjentësh sauditë në konsullatën saudite në Stamboll më 2 tetor.
Khashoggi jetonte në Amerikë dhe ndodhej në Turqi vetëm për të marrë dokumentet në mënyrë që të martohej me të fejuarën e tij turke.
Fillimisht qeveria saudite e mohoi vrasjen e tij, ndërsa më pas ndryshoi qëndrim duke pranuar se ai ishte vrarë aksidentalisht në konsullatë pas një grindje me një ekip të dërguar për të negociuar kthimin e tij në atdhe.
a.cupaj