Kuvendi është rimbledhur sërish në seancë plenare, e dyta për këtë javë.
Parlamenti pritet të vendosë sot për vettingun në politikë të kërkuar nga opozita, e cila u rikthye në parlament dje pas rreth 6 muajsh mungesë dhe për herë të parë në këtë sesion parlamentar.
Sipas rendit të ditës do të votohet për Projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar” (nenet 77/a dhe 77/b, Rregullore, votim me shumicën e jo më pak se dy të tretave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit).
Në seancë do të paraqitet raporti i shumicës parlamentare dhe i pakicës parlamentare, dalë nga mbledhja e përbashkët e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe Këshillit për Legjislacionin
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998, ‘Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar” ka të bëjë me “Amendamente kushtetuese për vettingun që përfshin vlerësimin e lidhjeve me krimin e organizuar të zyrtarëve të lartë shtetërorë, i depozituar nga opozita që në 7 shtator në parlament.
Pak ditë më parë komisioni i Venecias në opinionin përfundimtar rrëzoi amendamentet e propozuara nga opozita. Duke theksuar se qëllimi i propozimeve është legjitim, Venecia u shpreh se ka boshllëqe në kushtetutshmëri. Megjithatë Venecia ftoi palët për dialog.
Maxhoranca pritet ta rrëzojë propozimin e Partisë Demokratike.
a.çupaj