Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti, e ftuar në rubrikën Opinion në studion e lajmeve në News24, ka mbështetur thirrjet e kryeministrit Edi Rama për dialog me studentët.
Sipas saj është e para herë që një kryeministër kërkon të ulet e të bisedojë me vetë palën protestuese.
“S’besoj se ka pasur ndonjëherë në histori një përgjigje të tillë nga një kryeministër, përsa i përket demokracisë. Studentët sot duhet të ishin pranë auditorëve për të zgjedhur përfaqësinë e tyre nga vetë ata, që më pas të uleshin me kryeministrin,” tha Gjylameti.
Deputetja e PS e sheh me skepticizëm faktin që studentët mund të futen në grevë urie, duke ditur sipas saj se kërkesat e tyre po plotësohen.
“Nuk besoj se do arrijnë në një pikë të tillë, për sa kohë që kërkesat po plotësohen dhe kryeministri është i gatshëm për t’i plotësuar.
Buxheti për arsimin është rritur ndër vite. Numri i studentëve që është në protestë kundrejt atyre që janë në total, është jo më shumë se 10%. A është kjo përfaqësia ekzakte e studentëve. Pse duhet të pengojnë këmbënguljen dhe dëshirën e disa të tjerëve për të hyrë në mësim.
Ata që janë për dialog do duhet të që ulen dhe të zgjedhin përfaqësitë e tyre. Nëse janë këto 8 kërkesa ose më shumë, që besoj se ka më shumë problematika, do duhet të ulemi për të biseduar,” tha Gjylameti.
a.çupaj