Nga Ilir Beqaj
Në javën që sapo kaluam (java e 50 e vitit 2018) vëmendja dhe interesi publik u përqëndrua në mënyrë të plotë, në gjerësi dhe në thellësi, në protestën e studentëve të universiteteve publike.
Në vlerësimin tim, thelbi i nevojës për të protestuar, vjen nga nevoja e studentëve për t’u ndjerë pjesë aktive e shoqërisë sot dhe nga shpresa (në fakt mungesa e saj) të të ardhmen e tyre.
Nëse tek nevoja e studentëve për t’u ndjerë pjesë e shoqërisë thelbi i kontraditës për mua duhet kërkuar tek perceptimi që mesa duket ka pjesa dërmuese e trupës akademike që i sheh studentët e universiteteve publike si klientë të një tregu monopolist, tek shpresa mendoj se dy janë komponentët kryesore që shqetësojnë studentët : a po zhvillohet vendi, a po pasurohen shpiptarët dhe si po shpërndahet pasuria që po krijohet në vend, a ka drejtësi në rishpërndarjen e pasurisë.
Në javën që sapo kaluan pati publikime të disa të dhënave të rëndësishme të cilat besoj se ndihmojnë këdo, edhe pse në mënyrë jo shterruese, për të dhënë përgjigje për pyetjet që shtrova më lart.
Java që sapo kaluam është njëherazi edhe java 274 qyshse Edi Rama është kryeministër. Prandaj në analizën që jam përpjekur të bëj mbi të dhënat e publikuara, jam fokusuar në seritë kohore 2014 – 2018.
Të martën, 11 dhjetor, Banka e Shqipërisë publikoi të dhënat e Bilancit të Pagesave për tremujorin e tretë 2018. Për rrjedhojë është e mundur të bëhet një vlerërsim për gjendjen e 9 muajve të parë 2018 dhe të analizohet seria kohore 2014 – 2018. Një komponente shumë e rëndësishme e Bilancit të Pagesave është Llogaria Korrente.
Të ardhurat nga vizitorët e huaj
Në 9 muajt e parë 2018, balanca negative e Llogarisë Korrente zbret për herë të parë nën 500 milionë euro. Pra, edhe forcimi nw vijimwsi i lekut kundrejt euros nuk wshtw dicka e papritur dhe e pashpjegueshme.
Në përmirësimin e gjendjes së Llogarisë Korrente kanë kontribuar përmirësimi i bilancit eksport/import qoftë në këmbimin e mallrave, qoftë në ofrimin e shërbimeve.
Shërbimi kryesor që ofron Shqipëria është pritja e vizitorëve të huaj.
Në 9 mujorin 2018 të ardhurat nga vizitorët e huaj vlerësohen rreth 1,470 milionë euro. Janë rritur me 12 % apo janë shtuar me 158 milionë euro, krahasuar me 9 mujorin 2017.
Në 5 vite të ardhurat nga vizitorët e huaj janë rritur me rreth 55 %.
Shpenzimet e shqiptarëve për udhëtime jashtë vendit
Analiza e shërbimeve të udhëtimit nxjerr në pah edhe një të dhënë tjetër. Pavarësisht se për bilancin e pagesave nuk është e mirë që shqiptarët të shpenzojnë për udhëtime para jashtë vendit të tyre, rritja e shpenzimeve që shqiptarët bëjnë për të udhëtuar jashtë vendit të tyre është dëshmi e shëndetit financiar të familjeve shqiptare.
Në 9 mujorin 2018, shqiptarët shpenzuan 1,110 milionë euro ( për herë të parë kalohet kufiri 1 miliard euro) për të udhëtime jashtë vendit. Janë rritur me 14 % apo janë shtuar me 136 milionë euro, krahasuar me 9 mujorin 2017.
Në 5 vite shpenzimet për udhëtime jashtë vendit janë rritur me rreth 20 %.
Investimet e Huaja Direkte
Flitet e debatohet shumë për Investimet e Huaja Direkte. Për nevojën e tyre, për përfitimet prej tyre, etj, etj. Për klimën favorizuese, apo për pengesat që u krijohen investitorëve të huaj. Në 9 muajt e parë të 2018, IHD arritën në 758 milionë euro. Niveli më i lartë në 5 vitet e fundit. Rritur me rreth 11,8 % apo shtuar me 80 milionë euro krahasuar me 9 muorin e parë 2017.
Të martën, 12 dhjetor, Instituti i Statistikave publikoi të dhënat e Anketës së Forcave të punës për tremujorin e tretë 2018.
Punësimi
Në tremujorin e tretë 2018, të punësuarit në Shqipëri janë 1,232,666 vetë. Rreth 262 mijë vetë më shumë se në tremujorin e parë të vitit 2014. Ilustrimi grafik dëshmon se prirja rritëse është konstante në 5 vite.
Papunësia
Në tremujorin e tretë 2018, norma e papunësisë është 12,2 %. Niveli më i ulët në 5 vitet e fundit. Siç ilustrohet grafikisht përveç vitit 2015, çdo vit ka patur ulje të vijueshme të normës së papunësisë.
Të mërkurën, 13 dhjetor, Instituti i Statistikave, publikoi të dhënat e Tregëtisë me Pakicë për tre mujorin e tretë të vitit 2018.
Siç ilustrohet edhe grafikisht, në seicilin nga 3 tremujorët parë të viti, volumi i tregëtisë me pakicë, ka një ritëm konstant rritjeje.
Të mërkurën , 13 dhjetor, Instituti i Statistikave dhe Instituti i Shëndetit Publik publikuan Anketën Demografike dhe Shëndetësore të Shqipërisë 2017 – 2018. Publikmi është voluminoz, do të kohë për të lexuar, analizuar e interpretuar , por më tërhoqi vëmendjen raportimi për Koeicientin GINI.
Koefiçienti GINI
Ky koefiçient, që lëviz në intervalin nga 0 në 1, përpiqet të tregojë nivelin e pabarazisë në shpërndarjen e pasurisë sw një vendi midis personave të jetojnë në atë vend dhe kontribojnë në krijimin e pasurisë. Nëse në një vend të caktuar pasuria është e shpërndarë në mënyrë të barabartë midis çdo personi, koefiçienti duhet të jetë 0. Nëse në një vend të caktuar e gjithë pasuria është përqëndruar në duart e një njeriu të vetëm, koefiçienti duhet të jetë 1. Të dy janë situata teorike, nuk mund të ndodhin në realitet. Por, kuptohet se sa më afër zeros të jetë koefiçienti aq më proporcionale është shpërndarja e pasurisë në një vend, ndërsa sa më afër njëshit të jetë koefiçienti aq më shproporcionale është shpërndarja e pasurisë në atë vend.
Sipas anketës së publikuar ditën e mërkurë, nw periudhën e anketimit, koeficienti GINI në Shqipëri në vitin 2018 është 0,11 (faqe 10 e raportit të publikuar). Në vitin 2008 (athere është bërë anketa e ngjajshme e mëparshme) ka qënë 0,26. Ndryshimi është mbresëlënës. Sipas autorëve kjo mund të ketë ndodhur si kombinim i dy faktorëve: rishpërndarje më e mirë e pasurisë së krijuar dhe/apo rritje më e shpejtë e pasurisë së zotëruar nga shtersat më të varfëra.
Përmbledhtazi, në të njëjtën javë kur perceptohet se po ndodh një nga protestat më të veçanta të ndodhuara në vend, bëhen publike të dhëna që tregojnë se :
- Punësimi po rritet
- Papunësia po ulet
- Invetimet e Huaja Direkte po rriten
- Të ardhurat nga vizitorët e huaj po rriten
- Volumi i Tregëtisë me Pakicë po rritet
- Shpenzimet e shqiptarëve për udhëtime jashtë vendit po rriten
- Pabarazia në shpërndarjen e pasurisë është reduktuar ndjeshëm
Studentët, si protagonistët kryesorë të protestës, mund të mos kenë ndonjë interes për këto të dhëna. Mund të dyshojnë në vërtetësinë e tyre. Edhe familjeve të studentëve, këto të dhena mund të mos u thonë ndonjë gjë të veçantë.
Megjithatë, mendoj se është detyrë e komponentëve të caktuar të shoqërisë që këto të dhëna t’i ndajnë me publikun, duke ngjallur diskutime, oponenca, këndvështrime, opinion, kundërshti.
Por, gjithsesi duhet t’i komunikojnë, duhet të dialogojnë.
Nga Dialogu ngjizet Besimi. Dhe Besimi ngjall Shpresën.
a.ç