Stacioni televiziv privat grek “Skai” ka rënë pre mbrëmjen e djeshme e një shpërthimi eksplozivi. Mediat fqinje raportojnë se shpërthimi ka shkaktuar dëme materiale dhe se paraprakisht dyshohet se pas saj fshihen organizata të ekstremit të majtë dhe anarkistëve.
Konkretisht, shpërthimi i eksplozivit ka shkaktuar dëmtime në pjesën e përparme të ndërtesës si dhe në banesat dhe makinat që ndodheshin pranë godinës. Forcat policore kanë mbërritur në vendngjarje, e kjo e fundit mësohet se është rrethuar me perimetër sigurie.
Duke folur për ‘Skai’ nga vendi i ngjarjes, ministrja greke për Mbrojtjen e Qytetarëve, Olga Gerovassili u shpreh se sulmi ka shënjestruar demokracinë. “Megjithatë, demokracia është e mbrojtur dhe natyrisht nuk është e kërcënuar,” tha më tej ajo.
“Skai” është një nga stacionet televizive më të mëdha të Greqisë dhe pjesë e një grupi medial që përfshin edhe një stacion radioje; është e lidhur me gazetën kryesore greke, “Kathimerini”./a.meta