Edhe pas 16 vitesh të çlirimit të Kosovës, qytetarët e Mitrovicës nuk e kanë mundësinë që kur të duan dhe në çdo kohë t`i vizitojnë familjarët e tyre të varrosur në varrezat që ndodhen në pjesën veriore të qytetit.
Ata për shkaqe sigurie, edhe kësaj radhe me rastin e festës së Kurban Bajramit kanë vizituar të enjten këto varreza në mënyrë të organizuar me autobusë në disa turne dhe nën përcjelljen e policisë, ndërsa koha prej gjysmë ore ka qenë e kufizuar për secilin turn.
Shemsedin Duraku, një qytetar nga jugu i Mitrovicës, u shpreh i mllefosur për shkak se edhe pas kaq shumë vitesh, vizitat e familjarëve të varrosur në veri po duhet t’i realizojë me përcjellje të policisë.
Sipas tij, ndodhë që ndonjëherë edhe kur nuk është festë, ai t’i vizitoj varrezat e të dashurve, por fshehurazi për shkak të sigurisë.
“Edhe pas 16 viteve me polici po duhet me ardhë, kur mundemi lirë me shku poshtë e lartë… veç për Bajram dhe nganjëherë po duhet me ardhë fshehtë, sepse s’jemi të lirë me kalu këndej”, theksoi Duraku.
Muhamed Aliu, po ashtu qytetar nga jugu, tha për KosovaPress se fatkeqësisht mitrovicasit në këtë pjesë të qytetit dhe në këto varreza mund të vinë vetëm në kohë të caktuar, përkatësisht gjatë festave të Bajramit dhe nën përcjellje të policisë.
“Që 16 vjet pas lufte vij vetëm dy herë në vit dhe vetëm gjysmë ore kam kohë për t’i vizituar më të dashurit e mi. Kjo është e tepërt”, theksoi Aliu.
Në anën tjetër, Rexhep Lushta, kryeimam i Bashkësisë Islame në Mitrovicë, ka bërë të ditur për KosovaPress se Bashkësia Islame edhe kësaj radhe që nga orët e hershme të mëngjesit ka bërë organizimin e vizitave të qytetarëve për një gjë të tillë.
Ai tha se qytetarët janë lodhur më nga kjo situatë, duke shpresuar se shpejt do të krijohen kushte për lëvizje të lirë të tyre në atë pjesë, jo vetëm për vizitë në varreza, por edhe në pronat e tyre.
Ndërkaq, zëvendës drejtori i policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti,u shpreh se edhe këtë vit PK-ja ka pasur të hartuar planin operativ për përcjelljen e vizitorëve në varrezat myslimane në veri të Mitrovicës.
Sipas tij, është me rëndësi se gjithçka ka shkuar në rregull dhe nuk është shënuar asnjë incident.