Nga Skënder Minxhozi/
Prej vitesh manuali i kundërshtarit politik në Shqipëri “sugjeron” që të mbahet sa më shumë hapur një vatër konflikti mes palës tjetër dhe një shtrese të caktuar sociale. Janë shfrytëzuar në këto dekada sherre dhe halle pronarësh, pakënaqësi minatorësh e mësuesish, përballje ekonomike të të gjitha zonave e ndjeshmërive. Rregullisht njëra palë ka dashur që pala tjetër të mos vihet në pozitat për të zgjidhur e përmbushur disi atë që i kërkonte një grupim i caktuar njerëzish.
Kështu po ndodh edhe me protestën mëse të ligjshme dhe shpresësjellëse të studentëve në të gjithë vendin. Ajo që studentët kanë kërkuar nga qeveria, përkon egzaktësisht jo vetëm me situatën dramatike ku vijon të vegjetojë arsimi i lartë shqiptar prej kohësh që nuk mbahen mend, por edhe me nevojën e daljes urgjente nga kjo situatë. Siç e ka kuptuar edhe Edi Rama nga shuplaka e studentëve që vazhdon t’i djegë në faqe, nuk mjafton që një qeveri të mbyllë universitetet-kioska të diplomave dhe që të kalojë një ligj të arsimit të lartë që e ka kujtuar si formulën magjike të zgjidhjes së problemit. Jo dhe jo!
Sot Rama ka rastin të kuptojë se sa pak e ka njohur gjendjen në universitete (e pranoi vetë në Top Show), por edhe sesa nevoja të tjera shtesë paska pasur arsimi i lartë në Shqipëri, të cilin besoi se e zgjidhi duke mbyllur shitoret e diplomave false dhe duke votuar një ligj që ja servirën si më të mirin e mundshëm në tavolinë. Konviktet, tarifat e larta, korrupsioni i trupës akademike dhe niveli i ulët i mësimdhënies e kushtet e këqia në fakultete, janë që të gjitha indikatorë të prekshëm të distancës ende të madhe që arsimi shqiptar ka, nga objektivat ku qeveria kujtoi se e pati çuar.
Protesta sot është më e vogël sesa dy ditë më parë. Kjo është evidente jo vetëm nga përçarja graduale që ka pësuar, por edhe nga masa e madhe e studentëve të cilët nuk janë më pjesë e grumbullimeve para Ministrisë së Arsimit dhe Kryeministrisë. Dhe ky proces tkurrjeje duket se ka shkaqet e tij, të cilat vijnë nga brenda protestës, por edhe nga faktorët e jashtëm me të cilët ajo është përballur gjatë dhjetë ditëve të fundit.
Tirana ka njohur daljen në rrugë të masës më të madhe të studentëve, që nga rënia e komunizmit në vitet 90-91. Shkaku primar duket i qartë dhe ka të bëjë me masivitetin e paprecedent të një proteste: studentët e thjeshtë janë të revoltuar për gjendjen në të cilën ndodhen! Ky ka qenë motori lëvizës i atyre mijëra të rinjve që kanë mbushur Rrugën e Durrësit një javë rresht. Ata që lodhen të kërkojnë nëse ka patur ose jo duar partish, le të shohin se cili ka qenë dhe është fati i protestave me përkrahje ose sponsorizim partiak. Dekada e fundit ofron boll shembuj kur mijëra veta janë sjellë me autobusa në Tiranë nga partitë, kanë marrë sanduiçet dhe paratë e mitingut nën dorë dhe janë kthyer me vrap në shtëpi pa rënë dielli.
Masiviteti i kësaj proteste ka pasur të bëjë më së pari me qenien e saj (deri diku) imune ndaj influencës politike. Çka, me kalimin e orëve, kur Rama është pozicionuar fort në kërkesën për dialog të drejtpërdrejtë me studentët, ka provokuar padurimin dhe mllefin e partive, të cilat kanë nisur të infiltrohen gradualisht në protestë. Fare thjeshtë dhe qartë, ky spostim i kamufluar keq i kursit të protestës, po sjell edhe mpakjen e tkurrjen e saj. protesta e politizuar është një protestë e vogël. Shihni Astirin! Për të mos harruar nga ana tjeter tek kjo tkurrje e pjesëmarrjes, edhe dilemën e natyrshme që mbjell tek vetë studentët, ftesa e përsëritur publike e Ramës dhe premtimi i tij se tetë pikat janë krejtësisht të realizueshme.
Refuzimi i protestës për të mos komunikuar me qeverinë, ka brenda disa lloj shkaqesh e kalkulimesh. Padyshim ka nga pas motivimin e fshehur të forumeve partiake, për ta mbajtur të hapur gropën e sherrit me studentët në mes të Tiranës, me shpresën e dobësimit të qeverisë. Një taktikë që i shkon manualit të politikës, por që s’ka asnjë lidhje me dëshirën e studentëve për të paguar më pak në provime dhe për të jetuar më mirë në konvikte.
Në një plan më të gjerë, ky refuzim pasqyron gjithashtu një copëz të asaj pamundësie dhe paditurie të të gjithë shoqërisë shqiptare, për të dialoguar mes vetes, për të folur më parë sesa për të marrë në dorë një gur a një armë, për të komunikuar më parë sesa për t’u mbyllur në kullën e gjakut! Dialogu dhe komunikimi shihen si një moment hileje, e jo si një shans zgjidhjeje.
Paaftësia e komunikimit ka qenë dhe mbetet një ndër trajtat dalluese të shoqërisë sonë, jo vetëm në nivelin e elitave politike, por edhe fare poshtë, në jetët tona të përditshme. Mezi mbledhim paratë e pastrimit të shkallëve a të riparimit të pompës së ujit, imagjinoni sa të gatshëm jemi për të gjetur ura komunikimi për gjëra kaq të mëdha sa ç’është arsimi kombëtar.
Në këtë pikë ku ndodhet, protesta dhe ata që e kanë inicuar me idealizëm atë, ndodhen përballë nevojës urgjente për të gjetur një qëndrim të qartë në raport me objektivat e tyre. Protesta është në luftë me kohën dhe me humbjen eventuale të interesit publik mbi të, më shumë sesa me kreun e qeverisë. Nëse ke një apo disa probleme me qeverinë, nuk ka asnjë justifikim që të shmangësh konfrontimin me të. Jo dialogun, por përballjen, kërkesën e llogarisë dhe vënien në provë me afate të qarta dhe publike. Edi Rama mund të jetë duke folur më shumë sesa e ka mundësinë financiare si qeveri në këtë moment. Ai mund të jetë duke premtuar edhe më shumë se çfarë do jetë në gjendje të bëjë. Por ky nuk është problemi i studentëve, ata duhet ta venë në sfidë ofertën e tij dhe pastaj sheshi është sërish aty.
Studentët e mësuan rrugën që të çon të ministria e arsimit. Bëjnë mirë të mos e harrojnë atë, por ndërkohë bëjnë gjithashtu mirë të sillen dhe të veprojnë në një mënyrë që protesta e tyre e drejtë të mos degradojë në një palo grumbullim njerëzish para zyrës së kryeministrit. Si ato që kemi parë me dhjetra. Protesta e studentëve është unike. Le të luftojë të mbetet e tillë edhe nga rezultati final që do zbardhë në librin e historisë së tranzicionit shqiptar.