Në kuadër të Takimit të Nivelit të Lartë të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Francën dhe Gjermaninë, në fushën e sigurisë, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati është takuar me homologun e tij francez, Jean-Yves Le Drian.
Të dy ministrat këmbyen pikëpamjet rreth ecurisë së procesit të integrimit evropian të Shqipërisë. Ai informoi homologun francez për stadin e reformave, me reformën në drejtësi, me luftën e pakompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, me avancimin dhe promovimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut dhe me rolin konstruktiv dhe dinamik të Shqipërisë në rajon.
“Me Francën kemi rënë dakord për të hapur një kapitull të ri të marrëdhënieve tona për t’u fokusuar mjaft qartë në çështjet e bashkëpunimit ekonomik, do të përfitojmë dhe nga prania e Agjencisë së Zhvillimit të Francës, që shumë shpejt do të ketë selinë e vet në Tiranë, për të asistuar kësisoj projekte të karakterit zhvillimor dhe për të gjitha iniciativat e bashkëpunimit ndërmjet dy qeverive tona në fushën e sigurisë. Kësisoj jam shpresëplotë që falë mbështetjes së Francës dhe angazhimit të përhershëm të Francës dhe Gjermanisë në Shqipëri dhe në rajonin tonë në 2019, ne do të shënojmë një hap tjetër përpara në procesin e integrimit evropian, duke nisur një fazë vendimtare të reformimit dhe transformimit të mëtejshëm të Atdheut tonë të përbashkët”, është shprehur Bushati.
Duke u ndalur në çështjet e sigurisë, ministri Bushati tha se mjedisi i sigurisë për Ballkanin Perëndimor është i rëndësishëm jo vetëm për stabilitetin, zhvillimin dhe transformimin ekonomik të rajonit, por po kaq i rëndësishëm është dhe për arkitekturën e sigurisë evropiane, për shkak të gjeografisë, për shkak të lidhjeve të shumëfishta që ekzistojnë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe vendeve të Bashkimit Evropian.
“Ky takim i formalizuar në kuadër të Procesit të Berlinit, është një mundësi e shkëlqyer për të raportuar e për të këmbyer pikëpamje rreth reformave të ndërmarra të Shqipërisë në fushën e sundimit të së drejtës, të cilat kanë një impakt të drejtpërdrejtë në fushën e sigurisë”, shtoi Bushati.
Shqipëria, shtoi ai, është një vend në linjë të parë në luftën kundër fenomeneve të ndryshme të ekstremizmit të dhunshëm, të terrorizmit, është një vend i cili linjëzon politikën e jashtme 100% me atë të Bashkimit Evropian dhe pret një orë e më parë për të nisur bisedimet për anëtarësim”, tha Bushati./a.meta