Shumë shtetas e familje shqiptare largohen çdo vit nga Shqipëria në kërkim të një vendi pune dhe jete më të mirë.
Por, ka edhe një tjetër realitet. Ai i shtetasve të huaj që vijnë të punojnë në Shqipëri. Pjesë e tregut shqiptar të punës, në Durrës ata janë të punësuar kryesisht në sektorin e peshkimit, sportit, kulinarisë, konfeksioneve dhe shërbimeve të ndryshme.
Sipas drejtorit të Zyrës së Punësimit në Durrës, Indrit Buka, numri i të punësuarve të huaj ka ardhur në rritje nga viti në vit. Vetëm në 2018 kanë aplikuar dhe marrë lejet përkatëse afro 300 shtetas huaj.
”Kemi dhënë për këtë vit afro 300 leje pune dhe leje përjashtimi për shtetasit e huaj që punojnë në Durrës. Leje pune marrin vende si Maqedonia, vendet arabe etj., ndërsa leje përjashtimi marrin shtetasit nga vendet e BE-së. Tregu i punës për të huajt ka nisur dhe në Durrës, duke nisur nga fusha e sportit, resortet turistike që marrin kryesisht kuzhinierë nga Turqia, apo sektori i peshkimit, ku nevoja për persona të kualifikuar dhe në mirëmbajtjen e rrjetave është shumë e lartë”, thotw Buka.
Afrikanët janë të punësuar kryesisht në sektorin e peshkimit, ku vendasit i vlerësojnë për aftësitë e tyre jo vetëm në gjuetinë e peshkut, por edhe në riparimin e mirëmbajtjen e pajisjeve të peshkimit dhe përkushtimin pa orar në punë.
Amerikanët në fushën e edukimit dhe sporteve, ndërsa turqit në atë të kulinarisë, stomatologjisë dhe tregtisë. Por jo vetëm këta. Të huajt e punësuar në Durrës vijnë nga vende të ndryshme të globit, duke nisur nga Ballkani Perëndimor, Italia e afërt e vende të tjera europiane, por edhe nga kontinentet e tjera, si Afrika, Amerika dhe Azia./TCH
a.çupaj