Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë sot në seminarin e AViTeM, e organizuar në bashkëpunim me Ambasadën Franceze, për të diskutuar mbi zhvillimin urbanistik të qytetit. Duke vlerësuar reformën e ndërmarrë nga qeveria shqiptare për ndarjen e re administrative, Veliaj tha se ajo krijon mundësitë që investimet të shtrihen edhe në zonat rurale, në ish-komunat që më parë i kishin të pamundura investime të tilla.
Ai theksoi se falë punës së përditshme, kryeqyteti po transformohet duke përcjellë një energji pozitive dhe një aktivizim të ri shoqëror. Në këto tre vite, Tirana ka mundur të kapërcejë me sukses edhe hendekun e krijuar në këto vite tranzicioni, duke kthyer vëmendjen nga mjedisi si dhe në transformimi i transportit publik. Krahas ndriçimit LED, Veliaj nënvizoi se Tirana ka flotën më të re të taksive elektrike në rajon, ndërkohë që shumë shpejt do të ketë edhe flotën me autobusët elektrikë.
“Për disa çështje, vendet në zhvillim që për arsye historike kanë humbur shumë kohë, mund t’i kalojnë disa etapa. Kjo është arsyeja pse në Ballkan kemi flotat më të mëdha të taksive elektrike, pa asnjë subvencionim, thjesht duke thënë kush merr taksi elektrike e merr licencën për 24 orë. Vetëm nga një vendimmarrje të tillë kemi sot 5 flota të taksive elektrike në Tiranë. Të njëjtën gjë duam të bëjmë edhe me autobusët elektrikë”, tha Veliaj, ndërkohë që hapa të rëndësishëm janë ndërmarrë edhe për shtimin e gjelbërimit, ku vetëm falë kontributit të qytetarëve vitin e kaluar u mbollën 126 mijë pemë të reja.
Një nga projektet e suksesshme që po zbatohet në vendin tonë është dhe ai i “100 Fshatrave”, duke i dhënë nxitje jo vetëm përmirësimit të infrastrukturës në këto zona, por edhe nxitjes së zhvillimit ekonomik të tyre. “Ajo që kemi parë është se prekja e qendrave të qyteteve sjell një lloj graviteti ekonomik, social e kulturor. Kjo ishte faza e parë ku u prekën të gjitha qendrat e qytetit, dhe ku sheshi “Skënderbej” është sigurisht xhevahiri i kurorës në këtë transformim. Tani vëmendja është te fshati. Kemi filluar një proces që quhet projekti i “100 Fshatrave”. Shqipëria ka mijëra fshatra, por ne duam të krijojmë një paketë turistike, ekonomike, bujqësore për 100 fshatra që mund të jenë modele të agro-turizmit. Mezi pres që shumë realitete këtu afër Tiranës, ku kemi filluar me fermat, me agro-biznesin, të transformohen shumë shpejt”, tha ai.
Një kontribut të rëndësishëm ka dhënë edhe Bashkimi Europian i cili ka akorduar 94 milionë euro për të gjithë ata fermerë, të cilët shprehin interes për të ngritur një biznes ku mund të shfrytëzojnë edhe potencialet që ofron zona e tyre.
Gjithashtu, një nga projektet e Bashkisë së Tiranës është dhe rehabilitimi i godinës së Piramidës, e cila do të shndërrohet në qendrën më të madhe të inovacionit në Ballkan ku 5 mijë fëmijë mund të mësojnë gjuhën e programimit. “Për këtë arsye, Piramida që është ndërtesa më kryesore në qytetin tonë, edhe më e lakmuara, i është dhënë qytetit të Tiranës nga qeveria për ta transformuar në një shkollë alternative të teknologjisë së informacionit, ku 5 mijë fëmijë të këtij qyteti të kenë mundësinë që të kodojnë, të animojnë, të shkruajnë programe, në të njëjtën mënyrë si bashkëmoshatarët e tyre në Francë, në Gjermani”, u shpreh kreu i Bashkisë.
a.çupaj