Nga Edvin Prifti/
AD LIBERTATEM PER UNIVERSITATEM (Drejt lirisë nëpërmjet universitetit)
Kjo shprehje që ka konotacion gjithmonë aktual dhe real vlen edhe për gjëndjen e tanishme kur studentët tanë protestojnë për kushte më të mira, pagesa më të reduktuara, pjesëmarrje më të gjerë të tyre në institucion, të drejta këto absolutisht të pamohueshme për ta. Pa dyshim që instancat shtetërore, çdo qeveri, por në thelbin e vet shoqëria shqiptare janë institucionet që duhet të kërkojnë arsimin cilesor të brezave të rinj, duhet të mendojnë, të perpunojnë strategji, të kursejnë shpenzimet në fushat e tjera për të subvecionuar arsimimin e fëmijëve tanë. Tashmë duhet të mendojmë që e ardhmja e kombit tonë kërkon të arsimuar, kërkon profesionistë, kërkon shkencëtarë dhe njerëz të dedikuar me mendjen dhe inteligjencën e tyre ndaj zhvillimit dhe progresit, dhe në konkluzion në funksion të lirisë së këtij populli pasi liria është një konseguencë e mirëqënies. Pa dyshim, që po këto universitete, studentë dhe pedagogë duhet të jenë gardianët e lirisë, të dialogut, të tolerancës dhe gjithëpërfshirjes, të çdo rryme, mendimi apo filozofie në mënyrë që në konkluzion të prevalojë më e mira dhe më progresistja.
Por problemet që përmban në vetvete ky institucion publik, sikurse është universiteti, nga më të rëndësishmit në jetën e një vendi, janë nga më të shumtat dhe të mprehtat dhe nuk mund të përmblidhen në disa çështje financiare dhe të taksave studentore. Universiteti shqiptar pasi kaloi periudhën e metamorfozes historike, ndarjes dhe parcelizimit feudal, pasi iu injektua pseudoshkenca, falsifikimi, plagjiarizma dhe kopjimi, pasi u varfërua në kuadro nga emigrimi i skajshëm, pasi u nepotizua në ekstrem ku ligjin dhe votat i bëjnë familjet dhe familjarët, pasi u rrenua financiarisht dhe intelektualisht nga tranzicioni i tejzgjatur, pasi u provua në të edhe pseudodemokracia polimorfe dhe primitive orientale ku lypej vota në këmbim të favoreve, pasi u rraskapit nga e ashtuquajtura konkurrencë me universitet private të liçensuara, pasi u konsiderua autonom por me kufizime të skajshme, në fund iu dorëzua në copëza dhe i fragmentuar si mos më keq, akademizmit kapitalist, duke mos patur asnjë lloj pasurie materiale, financiare, mbështetje ligjore apo mjete mbijetese për të patur aftësinë e konkurrimit në tregun përkatës.
Asfiksia që i krijuam arsimit të lartë në 30 vjet po jep konseguencat e veta në protestën e studentëve tanë të cilët meritojnë mirënjohjen dhe respektin përkatës përsa kohë ata i përmbahen kërkesave të drejta si dhe mënyrës sa më civile të zgjidhjes së tyre. Pikërisht ky proçes në emërtim “reformator”, për afërsisht çerek shekulli prodhoi drejtues delirant të universiteteve, prodhoi autokraci të mendimit dhe bunkerizim tw elitave, prodhoi pseudouniversitete nga ndarja e ish Universitetit të Tiranës të cilët funksionin si parcela shpërblimi ndaj bashkepunëtorëve politikë, prodhoi ligje të arsimit të cilat ndryshohen çdo 8 vjet, prodhoi tituj dhe grada shkencore si mjete shkëmbimi apo qokash ndaj favoreve të këmbyera dhe të shkëmbyera, u dhuruan tituj profesor me dekrete qeveritare dhe më pas këta prodhuan kimerat e shkencës shqiptare, prodhoi vetëm të diplomuar dhe paradoksalisht asnjë ngelës etj.
Sot ndodhemi përballë një proteste studentore ku realisht unë nuk do doja të dëgjoja vetëm ato kërkesa aq bazike dhe elementare që janë absolutisht legjitime, por realisht do doja të dëgjoja prej gojës së tyre parashtrimin e gjithë problemeve të arsimit të lartë në Shqipëri. Nuk e di nëse studentët tanë janë të ndërgjegjshëm që ata do të jenë e ardhmja intelektuale e vendit tonë, nuk e di nëse e kanë kuptuar që prej tyre do të seleksionohen elitat tona kombëtare?! Studentët tanë duhet të ishin në ballë të diskutimit të ligjit të arsimit të lartë në vitin 2014-2015 dhe fatkeqësisht kjo nuk ndodhi, studentët duhet të ishin në ballë të parashtrimit të problematikave të tyre në senate dhe në borde dhe kjo nuk ka ndodhur, studentët duhet të kërkonin vazhdimisht të drejtat e tyre ashtu sikurse edhe detyrimet që pedagogët kanë ndaj tyre, dhe kjo nuk ka ndodhur!
Shtrohet çështja e taksave universitare dhe është absolutisht koherente. A mendojmë që universitetet mund të mbijetojnë pa para? Pa dyshim që jo të paktën në ekonominë e tregut. Po atëherë si mund ti eliminojmë ato kur parashikohen në ligjin e arsimit të lartë? Si mund ti reduktojmë ato kur buxheti i shtetit për arsimin e lartë qëndron i pandryshueshëm? Si është e mundur që ligji i jep të drejtë universiteteve të gjejnë alternativa financimi dhe kjo nuk ndodh? Sa projekte kërkimore dhe të zhvillimit janë propozuar nga universitetet tona për të rritur të ardhurat e tyre? Pse të ardhurat nga konferencat, seminaret, edukimi në vazhdim, të shkojnë në xhepat e OJQ-ve dhe jo në ato të universiteteve për të rritur financat e tij duke kompensuar kështu reduktimin eventual të taksave universitare? Sa fonde janë tërhequr nga Komuniteti Europian drejt universiteteve shqiptare? Cili ka qënë roli i studentëve tanë nëse ka patur në projekte të tilla? A kanë ndonjë sugjerim studentët për zgjidhjen e këtyre ngërçeve? Besoj përgjigja është e ditur prej të gjithëve.
A jemi të ndërgjegjshëm që universitetet tona kanë shumë rrugë për të bërë për të arritur cilësinë e duhur të arsimimit dhe edukimit sipas standartave europiane? A janë këto universitete në nivele nga më të ulëtat e rankimimit botëror? Sa prej diplomave të universiteteve tona njihen në vendet e Komunitetit Europian? Çfarë garancie japin për punësim këto diploma? A merren studentët tanë me këto çështje kaq të rëndësishme për të ardhmen e tyre? A i kanë vënë përballë përgjegjësisë autoritetet universitare ndaj këtyre problemeve madhore me të cilat ndeshen apo do të ndeshen përgjatë jetës së tyre? Mendoj qe jo!
A jemi shumica derrmuese e gjithë stafeve pedagogjike dhe akademike për një edukim cilësor? Pa dyshim që po. A jemi të ndërgjegjshëm që ligji i arsimit të lartë i votuar në vitin 2015 vendos bazat e akademizmit kapitalist në universitete ku mbizotëron neologjizma “klienti blen dijen” duke i përafruar me konceptin europian të universitetit? Gjatë proçesit të aprovimit të ligjit për arsimin e lartë ne kërkuam me ngulm në komisionin e shëndetësisë dhe të arsimit një seri modifikimesh për të përmirësuar aspektin ligjor të edukimit të lartë mjeksor, por pak studentë treguan interes.
A jemi të ndërgjegjshëm që kemi tarifat më të ulëta të arsimit dhe këtu nuk do bëja krahasime me Gjermaninë, ku taksat mbi 50% të të ardhurave për frymë në një vend super të pasur dhe social mbulojnë edhe arsimin e lartë por do e krahasoja me vendet e rajonit? Nga ana tjetër problemet financiare të ngritura nga studentët janë një pjesë e vogël e problematikave të shumta të universiteteve tona. A duhet që ne si pedagogë dhe studentë të kemi në vëmendje gjithashtu mësimin, kërkimin shkencor, studentët tanë të jenë pjesë e grupeve kërkimore, të kryejnë praktikat e duhura, të jenë në qëndër të vëmendjes nga vetë universiteti? A duhet të kemi literaturë bashkëkohore, biblioteka me libra të rinj, sisteme informacioni online, jetë komunitare, perspektive punësimi, kurrikula të integruara dhe ekuivalente në Evropë? Patjetër që po. A duhet të kenë universitetet tona kampuset e mirëfillta universitare, rezidencat e banimit, hapësirat në funksion të studentëve? Patjetër që po. Po problematikat e aktivitetit shkencor, vlerësimin e tij sipas kritereve europiane, titujt dhe doktoraturat, të ashtuquajturin “veting akademik”? A duhet që meritokracia të mbizotërojë në institucionet tona të arsimit të lartë? Besoj që të gjithë e pranojmë këtë. Përse studentët nuk duken të interesuar edhe për këto çështje, duke i debatuar ato në jetën e përditshme universitare? Përse nuk i ngrejnë në mënyrë të vazhdueshme, por na kanë lënë ne pedagogëve një barrë të tillë? Por atëherë çfare duhet të bëjmë të nderuar miq dhe studentë!? Duhet të vazhdohet me ngjirje megafonesh apo të uleni në tavolinë për të realizuar këto transformime të domosdoshme, duke detyruar Rektoratet, Ministrinë dhe qeverinë të japë mbështetjen e duhur duke plotësuar kërkesat në negocim?
Pa dyshim që në kushtet aktuale kur për vite të tëra shumëkush bëri veshin e shurdhët dhe syrin qorr, nuk i parashikoi konseguencat e mos interesimit direkt ndaj arsimit të lartë dhe ndryshimit periodik të ligjeve në realitetin e përditshem. A iane studentët të mirë përfaqësuar në organet universitare? Mendoj që po, por edhe që ka vend për përmirësim. Ata kanë përfaqësitë e tyre në senat e cila duhet të përcjellë problematikat e të gjithë studentëve. Kërkesa e tyre për të qënë pjesë e bordeve të administrimit qëndron plotësisht, kështu është edhe në modelet e universiteteve europiane.
Kjo do tju jepte mundësi që të kuptojnë se si menaxhohen financat e universitetit, të kuptojnë vështirësitë ekonomike të institucioneve tona të arsimit të lartë, duke i bërë bashkëpërgjegjës me ne për të gjetur financimet e duhura, si dhe për të kritikuar keq administrimin e tyre. Por këto janë elemente të një debati konstruktiv dhe real. Nga ana tjetër a mund të qëndrojnë godinat e universiteteve tona pa edukatorin, pa mësuesit dhe profesorët? Absolutisht jo! A mundet që kjo elitë e kombit tonë të qëndrojë me rroga sa gjysma e kolegëve tanë kosovarë? Kjo do të ishte e pakuptimtë dhe aspak dinjitoze. A i kanë mundësitë këta pedagogë të kryejnë jetën aktive shkencore si në universitetet perëndimore? Absolutisht jo. A nuk nxit kjo justifikimin ndaj korrupsionit të mundshëm, edhe pse unë jam i prirur të besoj që universitetet tona janë nga institucionet më pak të kompromentuara?
Por nga ana tjetër, a jemi të ndërgjegjshëm që studentët tanë janë disa hapa të mëdhenj përpara nesh pedagogëve, edukatorëve të tyre. A shikojmë kur këta studentë flasin për kërkimin shkencor, për impact factor, për Hircsh Index, Scopus index etj, ndërkohë ne fshihemi dhe shumë prej nesh i luftojnë këto elementë të vlerësimit shkencor? Mendoj që është momenti kur pedagogët duhet të mbajnë qëndrimin e tyre, duke u bërë pjesë gjithëpërfshirëse e këtij dialogu të domosdoshëm në krah të studentëve të tyre, është momenti që edhe ne të reflektojmë për mbarëvajtjen e universiteteve tona.
Prandaj unë sot, kur shumë prej kolegëve të mi, por edhe të njerëzve të tjerë postojnë “SOT JAM STUDENT”, motoja ime do të ishte që unë edhe sot zgjedh të jem mësues, pedagog dhe edukator dhe me plot gojën them “SOT JAM PEDAGOGU I STUDENTEVE”. Pa dyshim që unë do të doja që studentët të protestonin edhe për pedagogët e tyre, edhe për më të keqin prej nesh, do doja të ndjeja empatinë e tyre të munguar në këto ditë. Proçesi i koezionit univeristar nuk duhet të shkojë drejt anatemimit të pedagogëve por drejt bashkimit me ta ashtu sikurse edhe pedagogët vetë nuk duhet të anatemojnë studentët protestues duke i definuar shëmtueshëm dhe shpesh herë në mënyrë fyese. “Uno sumus animo”, ne jemi një shpirt, pedagogët dhe studentët duhet të jenë të tillë.
Por a e dimë se ku mund të shkojmë dhe çfarë duhet bërë?
1. Imediatisht duhet ngritur një komision ekspertësh për të rishikuar gjithë platformën e arsimit të lartë në Shqipëri, ekspertë që duhet të jenë larg interesave të privatit, politikës apo formave të tjera të interesit! Një rol të rëndësishëm duhet të ketë pjesëmarrja e ekspertëve të huaj, përfaqësues të Shoqatës Europiane të Universiteve dhe atyre të studentëve.
2. Arsimi i lartë të konsiderohet një fushë prioritare e shtetit shqiptar, duke riformatuar drejtori të posaçme për këtë brenda ministrisë së arsimit, rimodeluar komisionet dhe forumet si dhe duke krijuar një task force kontrolli ndaj universiteteve publike, e cila të kontrollojë dhe administrojë korrupsionin në të gjitha nivelet, si dhe një komision shkencor i cili të vleresojë titujt dhe gradat shkencore me të drejtë për të gjobitur ose penalizuar çdo shkelje të ligjit në lidhje me to.
3. Nuk duhet parë si tabu amendimi dhe rishikimi i ligjit të arsimit të lartë. Për definicion, arsimimi buron nga shpirti i një kombi dhe edukata familjare dhe jo nga ligji. Ligji duhet të përfaqësojë pikërisht këtë traditë indigjene, duhet të reflektojë pikërisht traditën e përftuar me një reflektim ndaj normativave europiane dhe tregut të punës.
4. Subvecionimi total i shpenzimeve të universiteteve publike deri në momentin kur universiteti arrin një nivel të kënaqshëm pavaresie financiare. Në parantezë çdo njëri prej nesh duhet të kuptojë që çdo taksë studentore e mospaguar do të jetë një barrë më shumë për taksat e shqiptarëve. Kjo nënkupton rritjen e buxhetit për universitetet ku mund të parashikohet edhe subvecionimi i një pjese të tarifave universitare si dhe riekuilibrimi i domosdoshëm dhe emergjent i rrogave të pedagogëve.
5. Kuptimi dhe aplikimi i mirëfilltë i autonomisë universitare ku dy kolonat, studentët dhe pedagogët të bashkëpunojnë qetësisht për qëllimet e përbashkëta. Involvimi total i studentëve në jetën e institucionit të arsimit të lartë dhe në të gjitha forumet e tij.
6. Absolutisht që duhet hequr dorë nga konceptet e masivizimit universitar. Ne duhet të kemi cilësi universitare dhe akademike përndryshe do ndodhemi përballë kartonave dhe profesorëve pa vlerë të cilët do kanibalizojnë sistemin e vlerave universitare.
7. Ngritja e komisioneve të ekspertëve për krijimin e kurrikulave të reja sipas modeleve europiane, në mënyrë që ato të jenë të njehësuara imediatisht si dhe financimi i këtij proçesi kaq të rëndësishëm, i cili do të bëjë të mundur njehësimin e diplomave shqiptare.
Studentët tanë të distancuar nga politika dhe formacione të tjera, janë duke protestuar por mendoj që tashmë duhet që projekti i tyre kërkon të transferohet nga rruga në zyrat shtetërore dhe në universitete, për të përfituar negocimin, aprovimin dhe zbatimin e kërkesave të tyre. Edhe në diktaturë në vitet 90, më kujtohet që studentët edhe pse kishin kërkesa politike në ndryshim nga çthuhet për protestën aktuale, negociuan dhe dialoguan në presidencë me presidentin dhe ministrin e arsimit te asaj kohe për të gjetur një konsensus me kërkesat e tyre. Sigurisht që ky proçes nuk duhet të përfundojë këtu, por duhet të vazhdohet në çdo zyrë dhe korridor të universiteteve tona, ku studentët duhet të vazhdojnë mbrojtjen e të drejtave dhe kërkesave të tyre. Nuk mundet dhe nuk duhet që ky proçes të përkthehet në gjuetinë e shtrigave, në emra të përveçëm pedagogësh apo studentësh, lënçime, fyerje dhe injorime.
Duhet të qëndrojmë përmbi këtë formë makabriteti dhe mediokriteti ku askush nuk mund të përcaktojë nëse ky pedagog apo një pedagog tjetër është i korruptuar sepse e thotë dikushi, qoftë ky edhe student. “Katharsisi” i pedagogëve mund të bëhet vetëm nga pedagogët dhe nuk duhet lejuar që edhe emri i më të keqit pedagog të abuzohet. Dhe për ata pedagogë qe realisht marrin para nga studentët, shpata e Demokleut e ndërgjegjes dhe e turpit duhet të jetë vazhdimisht e mprehur. Dikushi mund të thoshte që filan student ka inat filan profesor dhe kështu me radhë, dhe nga ky proçes i ashtuquajtur “veting” do të prodhohej vetëm përçarja dhe antipatia për njëri-tjetrin.
Nga ana tjetër një protestë studentore e cila presupozon të personifikojë lirinë, mund të tolerojë që çdokush të flasë në mënyrë të lirë dhe qytetare, dhe dëgjuesit ta pranojnë atë që thuhet apo ta fishkëllejnë, por demonstrimi i largimit me forcë të kujtdo, është një tregues aspak i mirë i frymës së tolerancës dhe liberalizmit të mendimit që studentët presupozohet të përfaqësojnë. Duhet kuptuar që protesta ndaj sistemit bëhet në rrugë por bëhet edhe me dialog, ajo ndaj individit bëhet në gjykatë, përndryshe hapim rrugën e jakobinizmit të shekullit të XXI, dhe më besoni që Robespierizmi-kameleon nuk prodhon asnjë zhvillim dhe mirëqënie, dhe për më tepër nuk perfaqëson minimalisht iluminizmin e dijes, prandaj dhe është momenti që të diskutohet në mëmyrë konstruktive me institucionet përkatëse për plotësimin apo negocimin e kërkesave të tyre.
Pa dyshim që sot unë zgjedh të jem pedagog, zgjedh të demonstroj dhe të mbroj interesat e edukatorëve pa të cilët ne nuk mund të kemi studentë shembullorë, sepse duke vepruar kështu, jam në krah të çdo studenti dhe të ardhmes së vendit. Pa harruar të dashur kolegë dhe studentë qe debati i nisur duhet zhvilluar dhe diskutuar për të arritur konsensusin e nevojshëm në mënyrë që të mos bëhet një episod i pavlerë i frymave dhe rrymave jakobine, radikale, anarkiste, neomarksiste, antiglobaliste dhe anti europianiste, të cilat nuk na çojnë asgjëkundi, bëni të dashur studentë që edhe pedagogët tuaj të flasin nëpërmjet jush, të flasin me gjuhën e përpunuar dhe dialoguese të intelektualit si pjesë e elitës kombëtare që ju studentët tanë do të jeni për vendin tonë.
I gjithë ky proçes duhet të konkludojë në më shumë ide, në universitete të mirëfillta tejçues të dijes, shkencës, iluminimit dhe në transformimin e tyre në kudhrat ku duhet të farkëtohet në mënyrë solide e ardhmja e vendit tonë, pasi vetëm dija është liri “Sapientia solo libertas est”, dhe liria e kombit tonë mund ta ruajë embrionin dhe gjenezën e saj vetëm në universitete.