Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u shpreh këtë të shtunë se qeveria do të rrisë mbështetjen për arsimin universitar publik dhe do të vijojë investimet në konvikte edhe përmes mbështetjes së organizmave financiare partnere.
Balla tha nga aktiviteti i 8 Dhjetorit (Dita e Rinisë Shqiptare) në Elbasan se, ka ardhur momenti që të bëhet një analizë më e thellë se çfarë mund të bëhet ndaj sistemit të arsimit të lartë publik. Më tej, ai u shpreh se Shqipëria është i vetmi vend që ka taksat e tarifat më të ulëta në një sërë sektorësh, sikurse edhe në atë të arsimit. Balla nuk ngurroi të ironizonte edhe ish-kryeministrin Sali Berisha dhe politikën e ndjekur prej tij në vitin 2013.
“Është e vërtetë që Gjermani i ka tarifat 0 në arsimin publik, por ama nëse një gjerman paguan 54 % taksa, ne kemi tatimin i cila për pagat deri në 300 mijë lek është 0. Po ta krahasosh këtë me Gjermaninë është shumë herë më e vogël, por krahasimeve me Gjermaninë u kemi dhënë fund në 2013, sepse ishte njëri që guxon të bëjë politikë, madje të marrë përsipër se gjoja është me studentët, i cili dilte përditë e thoshte jemi të dytët pas Gjermanisë.
Se me cilët sektorë ishim të dytët pas Gjermanisë unë nuk e di, por kjo histori mori fund në 2013, sikurse mori fund që mund të dilje në protestë. Mund të protestoje për liri themelore, sikurse është dhe kjo e studentëve për të qenë në një sistem universitar të besueshëm, elitar që garanton të ardhme më të mirë për ata që kanë matrë rrugën e dijes”, tha Balla, Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së
Sa i takon protestës së studentëve kundër Ministrisë së Arsimit, Balla theksoi se ajo nuk duhet politizuar pasi synimi është arritja e një procesi normal komunikimi dhe sipas tij zgjidhja shihet shumë pranë.
“Duhen përfshirë studentët, pedagogët, senatet universitare, dekanët, rektorët dhe të gjithë bashkë për të arritur në një qasje e cila është sa e zbatueshme aq dhe e qendrueshme në kohë. Është e thjeshtë të thuash sot hajt po i përgjysmojmë, por më e rëndësishme sesa përgjysmimi i tarifave është cilësia e procesit mësimor dhe vijueshmëria dhe progresi i sistemit universitar publik në Shqipëri. 8 Dhjetori është një moment i rëndësishëm reflektimi për historinë e re të Shqipërisë sonë. Duhet të shohim ku ishim, ku jemi dhe ku duhet të shkojmë. Rruga europiane e Shqipërisë është garancia më e madhe që rinia shqiptare ka sot që ashtu siç u nisën idealet e dhjetorit “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”, tha Taulant Balla.
Në fund të fjalimit të tij, Balla u shpreh se Partia Socialiste beson se Shqipëria duhet të ketë një sistem universitar të pastër dhe se për të është shumë më e rëndësishme njohuria për të nxjerrë profesionistë të duhur në sektorë të ndryshëm të jetës ekonomike dhe sociale të vendit./a.meta