Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku ka nxjerrë një udhëzim të përgjithshëm për garantimin e asistencës ndaj viktimave dhe dëshmitarëve të veprave penale.
Këto udhëzime do të ndihmojnë në sigurimin e bashkërendimit më të mirë ndërmjet prokurorëve, policisë, gjykatave dhe viktimave. Gjithashtu, do të ndihmojë në parandalimin e viktimizimit të përsëritur dhe ri-viktimizimit të viktimave, si dhe do të zvogëlojë edhe ndikimin traumatik të pjesëmarrjes së tyre në proces penal.
Udhëzimet do t’i ndihmojnë gjithashtu prokurorët të nxisin një zbatim uniform të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale lidhur me viktimat dhe dëshmitarët e veprave penale.
Kjo do të thotë që një viktimë në Kukës ose në Sarandë duhet të shpresojë të marrë të njëjtin trajtim nga sistemi i drejtësisë ashtu si një viktimë në Tiranë.
E Ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA në Shqipëri, Leyla Moses-Ones në fjalën e saj në një takim në Shkollën e Magjistraturës, përshëndeti këto udhëzime duke u shprehur se, “këto udhëzime dhe të drejta të përmirësuara të viktimave, sipas ligjit, janë një hap i rëndësishëm përpara në dëshirën e Shqipërisë për të përmbushur standardet ndërkombëtare të drejtësisë për të gjithë qytetarët e saj”.
“Në dhjetor të vitit 1999, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën 54/134, duke e shpallur 25 nëntorin si Ditën Ndërkombëtare të Eliminimit të Dhunës kundër Grave. Kjo ditë është fillimi zyrtar i 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore, një fushatë vjetore që na sjell ndër mend ndikimin e thellë që dhuna me bazë gjinore ka në shoqëri”, tha Moses-Ones.
Sipas saj, “dhuna me bazë gjinore na prek të gjithëve; gra, fëmijë dhe burra. Na ndikon pavarësisht kombësisë, statusit shoqëror, orientimit seksual ose besimit tonë fetar. Viktimat e këtyre krimeve janë shpesh më të cënueshmit dhe të heshturit”.
Kjo gjë, u shpreh, Moses-Ones, “kërkon përpjekje nga të gjithë në sistemin e drejtësisë që të përkrahin të drejtat e viktimave, duke i balancuar edhe me të drejtat e të akuzuarit”.
Ajo u shpreh se, “tani duhet t’i diskutojmë dhe t’i zbatojmë këto përmirësime. Ku më mirë se këtu, me gjyqtarët dhe prokurorët e ardhshëm të Shqipërisë, mund ta fillojmë këtë diskutim të rëndësishëm?”
/A.Rada