Pavarësisht shfuqizimit të VKM për tarifën e provimeve të mbartura, studentët nuk tërhiqen nga protestat e tyre deri në plotësimin e të gjitha kërkesave.
Studentët kanë bojkotuar edhe sot mësimin dhe pritet të mblidhen sërish në orën 10:00 para Ministrisë së Arsimit në ditën e tretë të protestës së tyre.
Zyrtarisht ata kërkojnë plotësimin edhe të tre kërkesave të tjera, përgjysmim i tarifës së studimit, përmirësimi i kushteve të konvikteve dhe që bordi i Administrimit të ketë numër të barabartë votash mes fakulteteve dhe Ministrisë së Arsimit, duke shtuar një përfaqësues nga studentët në bord. Por në faqen e Facebooku-t të Universitetit Bujqësor të Tiranës, studentët përveç tre kërkesave zyrtare, njoftojnë se së bashku me përfaqësues të forumeve dhe klubeve studentore të UBT-së, përfaqësues të 5 fakulteteve, Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit; Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit; Fakultetit të Bioteknologjisë dhe Ushqimit; Fakultetit të Mjekësisë Veterinare; Fakultetit të Shkencave Pyjore kanë vendosur 10 kërkesa të reja.
Në Vlorë, studentët e Universitetit “Ismail Qemali” kanë lënë sërish orët e mësimit për të protestuar jashtë ambienteve të universitetit, sikurse edhe në Elbasan, ku studentët janë mbledhur përpara “Aleksander Xhuvanit” dhe më pas do të nisen drejt Tiranës.
Edhe studentët e “Fan Nolit” të Korçës kanë hyrë në ditën e dytë të protestës. Ata kërkojnë tashmë plotësimin e kërkesave të tjera. Grumbullimi ka filluar në ambientet e jashtme të Korpusit universitar, me pjesëmarrjen e studentëve të fakulteteve të Ekonomisë, Edukimit dhe Bujqësisë.
Kërkesat zyrtare
1. Anulimi i pikës 4 të vendimit nr. 288 të majit të 2018 për tarifat për kreditet për lëndët e mbartura (Pika e 4 e vendimit u shfuqizua nga qeveria)
2. Përgjysmimi i tarifës së studimit. (grup pune për të negociuar)
3. Përmirësimi i kushteve të konvikteve. (grup pune për të negociuar)
4. Bordi i Administrimit të ketë numër të barabartë votash mes fakulteteve dhe Ministrise së Arsimit, duke shtuar një përfaqësues nga studentët në bord. (grup pune për të negociuar)
a.çupaj