Policia greke ka zbardhur vrasjen e 63-vjeçarit shqiptar të ndodhur në Korfuz më 26 Nëntor. Në pranga ka rënë një 44-vjeçar, banor i zonës. Pas marrjes në pyetje, ai ka pranuar para hetuesve se është autori i vrasjes së shqiptarit.
Sipas agjencisë greke të lajmeve “ANA”, autori kishte pasur më parë një grindje me 63-vjeçarin shqiptar në një lokal. Pas sherrit, ai kishte marrë çiften dhe e kishte qëlluar për vdekje. Trupin e tij e kishte hedhur në një kanal në anë të rrugës. Kanë qenë banorë të zonës që vunë re trupin e pajetë të shqiptarit.
Autopsia konfirmoi se 63-vjeçari ishte qëlluar me armë nga një distancë e afërt. Kurse mediat lokale të Korfuzit shkruanin se shqiptari njihej nga banorët si njeri i qetë, i respektuar dhe nuk ka pasur më parë probleme me drejtësinë.
Autori i dyshuar u la në arrest me burg nën akuzën për vrasje me paramendim, kurse armën e krimit nuk e ka dorëzuar në polici.
/b.d