Banesat sociale në Shkozë janë gati për të mikpritur familjet e para, të cilat preken nga gjurma e Unazës së Madhe. Bashkia e Tiranës ka sistemuar të gjitha apartamentet, si dhe i ka mobiluar ato me të gjitha orenditë dhe pajisjet elektro-shtëpiake.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi kushtet komode që ofrojnë banesat që do u shpërndahen familjeve që do të zhvendosen nga Unaza e Madhe.
“Unë besoj se sot në të gjithë Tiranën ka një konsensus, që edhe Unaza të bëhet, por edhe familjet të marrin një trajtim social. Pikërisht, kjo e dyta është punë e Bashkisë së Tiranës. Pra, kemi rregulluar të gjitha apartamentet në banesat sociale këtu në zonën e Shkozës, ku ka një stacion autobusi, ku ka qendër sociale, mensë sociale, ku ka klinikë, sidomos për grupet më vulnerabël, pra, kur janë çifte të moshuarish, kur ka njerëz të sëmurë, pikërisht që stina festive t’i zërë në banesa të reja. Nga inspektimi që bëra sot jam realisht i impresionuar”, tha Veliaj.
Banesat sociale në Shkozë ofrojnë të gjitha kushtet e nevojshme për familjet që do të zhvendosen në banesat e reja. Veliaj ftoi banorët që preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe që të aplikojnë pranë njësive të tyre administrative për të përfituar banesa sociale.
/b.d