Të dënuarit në burgun e Burrelit prej ditës së djeshme kanë refuzuar ushqimin, ndërsa deklarojnë se stafi i burgut nuk i lejon që të futën në grevë urie. Të dënuarit shprehen për se vendimi ekstrem është marrë si pasojë e kushteve të vështira. Ata thonë se nuk ka ujë të pijshëm, ushqimi është me papastërti, të dënuarit mbahen në izolim pasi nuk ka vende në qeli, ndërsa akuzojnë se ‘duhet paguar nga 2-3 mijë euro për t’u transferuar’.
“Refuzuam ushqimin nga dje, por stafi nuk e quan të ligjshme grevën. Ushtrojnë presion psikologjik, na mohojnë të drejtat, janë staf kriminelësh. Jemi 14 veta që kemi nisur grevën e urisë. Punonjësi Sokol Bruçi, nuk na njeh të drejtat, nuk merr kërkesën tonë për grevë. Nuk ka kushte higjenike, dritaret janë të vogla, ka mbipopullim, lagështi, të sëmurë me antibiotik, tualetet janë të përbashkëta pa higjenë. Burg është i pabanueshëm. Dhomat dyshe janë bërë katërshe. Ka njërës në izolim se nuk vende. Nuk ka ujë të pijshëm, është i papastër. Na sollën ujë të pijshëm vetëm pas denoncimit. Duhet paguar 2-3 mije euro për t’u transferuar. Nuk na marrin zarfet për postim, juristja nuk vjen”, deklaruan te denuarit
REAGIMI I AP-SE
Menjëherë pas sinjalizimit në linjën tonë të dedikuar nga të burgosur në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Burrel, përfaqësues të Avokatit të Popullit kanë mbërritur në këtë burg ku mësohet se disa të dënuar po refuzojnë ushqimin në kuadrin e një greve urie të shpallur prej tyre.
Ekipi i Avokatit të Popullit në mision faktmbledhës, ka arritur të sigurojë deklarime nga 18 të dënuar të sektorit të sigurisë së lartë në këtë institucion.
Nga deklarimet është konstatuar se: disa vuajtës të dënimeve për vepra të ndryshme në këtë burg kanë nisur me refuzimin e vaktit të drekës si shenjë e shpalljes së një greve urie në shenjë proteste për mosplotësimin e një numri kërkesash të tyre.
Shkaqet kryesore të këtij refuzimi përfshijnë kushtet e këqija të jetesës në këtë institucion të vuajtjes së dënimit të cilat lidhen me infrastrukturën e vjetëruar dhe te amortizuar të këtij burgu.
Gjithashtu, të dënuarit ngrenë pretendime mbi cilësinë e trajtimit ushqimor që u jepet në këtë institucion, për mungesën e kushteve për zhvillimin e aktiviteteve, për procedurat e transferimit nga burgje të tjera për në burgun e Burrelit, etj.
Drejtuesit e burgut të Burrelit janë aktualisht në negociata me pjesëmarrësit në grevë dhe janë informuar mbi protokollin e saj.
Institucioni i Avokatit të Popullit sjell në vëmendjen e publikut por edhe të autoriteteve përgjegjëse, se prej të paktën tre vjetësh janë konstatuar kushtet e papërshtatshme të këtij institucioni e është kërkuar nga ana e institucionit tonë mbyllja e burgut të Burrelit për shkak të kushteve të tij vërtet të vështira dhe aspak të përshtatshme për kryerjen e funksioneve të veta në mënyrë dinjitoze.
Avokati i Popullit nënvizon se ndonëse në disa prej institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale anembanë Republikës vërehen përpjekje për përmirësim të infrastrukturës dhe kushteve, zgjidhja tërësore dhe pa asnjë përjashtim e problemit të atyre burgjeve që ende nuk arrijnë të marrin “notë kaluese” për sa u përket kushteve që ofrojnë për qytetarët që kryejnë dënimet në to, mbetet një sfidë për autoritetet tona përgjegjëse./a.ç