Kryeministri Edi Rama deklaroi nga Vlora se qytetin bregdetar do t’i nënshtrohet transformimit përmes infrastrukturës rrugore, por jo vetëm.
Ai deklaroi se buxheti i infrastrukturës u zgjodh të prezantohet jo rastësisht në Vlorë, pasi sipas tij, qyteti i pavarësisë është vendi ku flitet më mirë për Shqipërinë.
“Për buxhetin dhe infrastrukturën erdhëm ta prezantojmë këtu. Askund më mirë se në Vlorë nuk mund të flitet më mirë për Shqipërinë. E vërteta është që me ndryshimin e qeverisë, u bë i mundur edhe ndalimi i një ecurie shumë të rrezikshme që kërcënonte qëndrueshmërinë financiare, jo më për arsyen e piramidave, por pas një filozofie të konceptimit si të tilla. Deri në vitin 2013 buxheti i shtetit mbështetej tek borxhi i jashtëm”, tha Rama.
Rama pohoi gjithashtu se qeverisja e tij ka transformuar sistemin urban të Shqipërisë, ndërsa shtoi se e gjitha kjo po behët pa borxhe të prapambetura.
Shefi i qeverisë pohoi se në projekt ndërtimi janë disa akse të rëndësishme, por premtoi para vlonjatëve se muzeu apo shtëpia e pavarësisë do të pastrohet nga kioskat, të cilat e kanë rrethaur nga të gjitha anët.
“Sot kemi një buxhet nuk bazohet në asnjë qindarkë borxh, që do të thotë se gjithçka që do ndërtohet nuk do të jetë një barrë për fëmijët tanë. Jemi duke bërë dy gjëra të rëndësishme; po rrisim volumin e investimeve dhe po ulim borxhin publik. Si deputet i Vlorës unë do të flas vetëm për Vlorën, Damianin e kemi për të gjithë Shqipërinë. Do të fillojmë rrugën Orikum-Llogara dhe ministri do të mbajë zotimin e tunelit të Llogarsë. Është koha që tunelin ta bëjmë realitet. Nga ana tjetër do të nisim vijimin e Lungomares deri tek tuneli i Ujit të Ftohtë. I vetmi vend në botë ku shtëpia e pavarësisë është e rrethuar nga kioska. Vitin e ardhshme do të nisë ndërtimi i aeroportit. Mos më shkruani mesazh nesër se pse nuk e ndërtove aeroportin. Ai do të bëhet brenda mandatit, por se kur këtë nuk mund ta them.”, shtoi Rama.
/BW/b.d