Komisioni Kuvendor i Ekonomisë miratoi sot ndryshimet në Ligjin për Lojërat e Fatit që vendosin ndërprerjen e aktivitetit të të gjitha llojeve të basteve sportive prej 1 Janarit të vitit 2019.
Ndryshimet u miratuan vetëm me votat e deputetëve të mazhorancës, pasi opozita nuk mori pjesë. Disa nga deputetët konfirmuan presionet që u ishin bërë për të mos e miratuar këtë ligj.
Në komision u vendos që zhvendosja e kazinove elektronike të behet vetëm në resorte me 5 yje në zonat turistike gjithmonë me negocim me shtetin. U përcaktua gjithashtu se nuk do të lejohet as vendosja e basteve online.
Braçe propozoi edhe një shtesë në nenin 1 të ligjit që përcaktonte se orgazimi dhe zhvillimi i kalojnë shtetit, çka është në të njëjtën linjë me një variant të diskutuar edhe më herët gjatë këtyre javëve. Ky propozim mori edhe miratimin e komisionit, duke i hapur rrugë shtetëzimit të sektorit.
Nga ana tjetër kreu i komisionit të Ekonomisë Erion Braçe tha se do kërkojë një amendim të ligjit.
“Do i drejtohem seancës plenare me një amendim për barrën fiskale”, u shpreh Braçe.
“Ligji nuk zbatohet për qejf. Kam dëgjuar lloj lloj arsyetimesh këto dy javë, por edhe që nuk e bëjnë dhe nuk e votojnë. Por amendamentet që miratojnë sot i japin fund përfundimisht aktivitetit të basteve, lojërave elektronike në distancë. Ja kemi dalë që pas ditës së enjte ti japim fund këtij aktiviteti, dhe më pas të luftojmë për zbatimin e ligjit dhe fenomenet që mund ta pasojnë këtë, që shkon deri në ndëshkim me burg. Lojërat e fatit kanë sjellë shumë probleme sociale. Në dy javët e fundit deputetet kanë marrë presione kriminale”, deklaroi Erjon Braçe
Ndërsa ministri Arben Ahmetaj tha se për të gjithë personat që do të humbasin vendet e punës do të organizohen trajnime.
“Janë bërë 10 mijë trajnime profesionale. Vitin tjetër do të jetë dyfishi deri në 20 mijë. Do të ketë mundësi për punësim për pjesën që do të dalë pa punë nga sallat e bingove dhe kazinotë. Një pjesë e këtyre kanë aftësi komjuterike dhe me pak trajnime do të gjejnë punë në zgjerimin ekonomik në shumë sektorë”, tha Ahmetaj
a.ç