Nga Mero Baze
Parlamenti i Maqedonisë votoi dje në orët e vona për të pranuar ndryshimin e emrit të Maqedonisë dhe një paketë ndryshimesh të plota, që i hapin vendit rrugën drejt anëtarësimit në NATO dhe BE, dhe i japin fund krizës 27- vjeçare me Greqinë. Votimi me dy të tretat u arrit falë shtatë deputetëve të partisë së Gruevskit, që nga armiq të Perëndimit, u kthyen në heronj të tij brenda natës, nën kushtëzimin e votës me një sërë masash që kanë të bëjnë me qëndrimin ndaj Greqisë dhe vendosjen e paqes sociale në Maqedoni.
Pas kësaj, qeveria e re e Maqedonisë do të duhet të aprovojë një amnisti për ngjarjet në Parlament dhe ndoshta një shkelje syri për procesin gjyqësor ndaj ish- kryeministrit Gruevski, për të risiguruar votat në votimin e dytë që do t’i duhet në janar, nga të njëjtët deputetë.
Vendimi që ngjalli entuziasëm të madh në Perëndim, pas shokut të pësuar nga referendumi popullor, i hap rrugë Maqedonisë të orientohet në mënyrë artificiale drejt Bashkimit Europian dhe NATO, dhe ndërkohë i krijon mundësi asaj, që të bëjë një reformim natyral si vend i orientuar nga Perëndimi.
Në një farë mënyre, Maqedonisë sot i blenë me force, jashtë dëshirës së saj, një kostum perëndimor, por që ai kostum t’i rrijë mirë dhe të mos e bëjë qesharake, Maqedonia duhet të sillet si një zonjë që e meriton atë.
Në aspektin politik, Maqedonia duhet të shpërbëjë frymën populiste, nacionaliste, anti-perëndimore të prodhuar vitet e fundit nga pushtetii VMRO DPMNE, i cili përveç krijimit të iluzionit për një histori falco të Maqedonisë, krijoi një frymë dhe mundësi reale të orientimit lindor të Maqedonisë.
Maqedonia e Gruevskit filloi të bëhej shpresa e autokratëve në Ballkan dhe modeli i kundërvënies së saj ndaj Perëndimit, një mundësi për të pasur dhe një alternativë të dytë, për çdo lider autokrat dhe të korruptuar në rajon.
“Internacionalja e re” e autokratëve e kishte Gruevskin “Yll në ngjitje”, ndaj dhe çmontimi i këtij fenomeni ka një rëndësi të veçantë.
Nga pikëpamja etnike, Maqedonia duhet të ngulisë në mendjen e qytetarëve të vet, se orientimi perëndimor, edhe pse mund të mos jetë i dëshirueshëm për të gjithë, është i vetmi shans që siguron mbijetesën si shtet.
Maqedonia mund të bëhej pika e fillimit të humbjes së Perëndimit në Ballkan dhe të inkurajonte një frymë të re populistësh nacionalistë në rajon, që ta shikonin distancën nga Perëndimi si liri për të sunduar dhe për t’u faktorizuar, duke shkatërruar atë që është arritur për paqen në rajon.
Deheroizimi i Gruveskit dhe brutalitei me të cilin u siguruan 80 vota, me një pjesë të ish- ushtarëve të tij besnikë, është një histori e madhe dekurajimi për një Maqedoni që po i rëshkiste nga duart Perëndimit. Dhe për ironi të fatit, u desh një sjellje jo perëndimore për të siguruar këtë.
Armiqtë e mëdhenj të Perëndimit në Maqedoni, u bënë heronjtë e tij. Deputetët të cilët janë nën hetim për ngjarjet në Parlament dhe mos pranimin e qeverisë së re, presin tani të amnistohen, për të dhënë votën për herë të dytë në janar. Dhe kjo është ironia e “kryengritjes anti-perëndimore” në Maqedoni dhe fati i heronjëve të saj.
Ky problem bëhej dhe më i mprehtë në Maqedoni, një shtet multi-etnik, me një të tretën e tij të populluar nga shqiptarë, të cilët të qenit me Perëndimin dhe të qenit vend demokratik, e kanë kusht themelor për të qenë pjesë e Maqedonisë.
Jo se shqiptarët në Maqedoni janë më pro-perëndimorë se maqedonasit, as se janë më të hapur, por se bashkëjetesën mes tyre e garanton vetëm një frymë perëndimore.
Një Maqedoni autokrate, nacionaliste dhe përjashtuese për shqiptarët, në fakt është një Maqedoni që nuk mbijeton dot, dhe prodhon vetëm konflikte në rajon.
Dhe kjo duhet të jetë e qartë për këdo që qeveris Maqedoninë. Kjo s’ka lidhje me “aspiratat” perëndimore të shqiptarëve, as me ato lindore të maqedonasve. Nëse maqedonasit pro Gruveskit, apo dhe shqiptarët, i lë të lirë më vete, ata mund të mos jenë pro-perëndimorë. Maqedonasit nacionalistë, nëse i lë të lirë mund të ëndërrojnë Moskën, dhe shqiptarët e Maqedonisë, nëse i lë të lirë më vete, mund ta mbajnë frymën në Stamboll dhe jo në Bruksel, por për të qenë bashkë dhe pa luftë, duhet të jenë vend perëndimor.
Prandaj edhe kur shumë politikanë shqiptarë nuk e meritojnë të respektohen me standarte perëndimore, pasi dhe vetë janë më lindorë se lindorët, ata duhet të detyrohen të jenë pro-perëndimorë, si politikanë të Maqedonisë.
Të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, nuk i garantojnë në mënyrë thelbësore as liderët politikë, dhe as pushteti i tyre, por ato i garanton vetëm një Maqedoni demokratike në Perëndim.
Çdo lloj Maqedonie tjetër, i bën ata të huaj në atë vend, dhe burim konfliktesh. Ndaj në gjykimin ndaj shqiptarëve, nuk duhet nisur se kush i përfaqëson, sa hajdut apo i ndershëm është “x” kryetar partie, sa perëndimor apo pro rus është ai.
Maqedonia është e “dënuar” të jetë pro-perëndimore për të qenë demokratike, dhe jo e kundërta. Rasti tregoi se “demokracia” e referendumit nuk e çoi atë drejt Perëndimit, por Perëndimi i imponoi asaj një rrugë drejt demokracisë që garanton mbijetesën e saj, edhe pse nuk është rrugë e standartit perëndimor.