Shqipëria ka fituar 4 vende në indeksin global të konkurrueshmërisë, i cili publikohet çdo vit nga Forumi Ekonomik Botëror. Vendi ynë renditet i 76-ti, mes 140 ekonomive botërore për vitin 2018-ë, ndërsa një vit më parë rankohej i 80-i në renditjen e 135 shteteve. Në 4 shtyllat kryesore, ku e para janë institucionet, Shqipëria ka patur përmirësime, por kjo ka ardhur vetëm nga përmirësimi i komponentëve të rasteve të terrorizmit, reforma në administratën publike dhe përpjekjet e bëra për të mbrojtur të drejtën e pronës.
Sipas forumit ekonomik, Shqipëria është bërë një ekonomi lehtësisht më konkurruese falë adoptimit të teknologjisë, jo vetëm në shërbimet publike, por edhe tek biznesi privat.
“Faktori që ka ndikuar më shumë është shkalla e dixhitalizimit të endit, përdorimi i internetit nga biznesi”
Dobësi të tjera shihen në fushën e infrastrukturës, ku rënie vërehet në cilësinë e rrugëve dhe lidhjen me aeroportet. Në pikën e infrastrukturës aeroportuale vendi ynë është sërish në fund të listës së ekonomive botërore.
Shqipëria renditet e para në botë vetëm në “lehtësinë e punësimit të personave të huaj”, ndërsa ka përmirësuar indeksin për jetëgjatësinë e shëndetshme.
Vendi ynë ka lënë pas në renditje Maqedoninë dhe Bosnjë-Hercegovinën, por është pas Serbisë dhe Malit të Zi. Të parët në botë për konkurrueshmëri janë Shtetet e Bashkuara, të pasuara nga Singapori, Gjermania dhe Zvicra.
a.ç