Nga Mero Baze
Skena e Genc Pollos në Parlamentin Europian ka ngjallur shumë debate, dhe shumica e tyre, negative. Mjafton t’i hedhësh një sy Facebook-t të Pollos, për të parë se sa të irrituar janë me të dhe ndjekësit e vet. Dhe në shumicë, përmendin imazhin e Shqipërisë dhe figurën e keqe që bën aty delegacioni i opozitës.
Ky debat natyrisht është forcuar nga zërat e qeverisë dhe po përpiqet të relativizohet nga opozita, si propagandë patriotike.
Por në fakt, nuk mendoj se ka ndodhur diçka që ka dëmtuar rëndë Shqipërinë në Bruksel. Në Bruksel ka ndodhur ajo që ndodh në Tiranë, dhe ajo që ndodh përditë në jetën politike të Shqipërisë, përdorimi i pushtetit për interesa tërësisht personale.
Dhe ne nuk kemi pse e gënjejmë Brukselin, që ndryshe të jemi në Shqipëri, e ndryshe të shfaqemi atje.
Ndaj nuk mendoj se është momenti të shqetësohemi se opozita i ka bërë ndonjë gjë të rëndë Shqipërisë në Bruksel.
Ajo për të cilën duhet të shqetësohet realisht opozita, është ajo çfarë po i bën Basha asaj.
Genc Pollo nuk është një budalla, por një gore e vjetër në PD, që është zvarritur e ka mbijetuar aty, me çmimin e personalitetit të tij.
Ai e di se çfarë ka bërë. Ai ka paguar aty çmimin që duhet t’i paguajë Lulzim Bashës, që në vitin 2018, ka mundur ta kthejë fraksionin e tij të vjetër anti-Berishë në PD, plotësisht në pushtet.
Ai ka mundur të ketë pas 18 vitesh divorci me PD-në, gjithë ish- grupin e tij, në krye të PD. Biles dhe pensionistë qesharakë si Tritanin.
Pra, Genc Pollo e di pse e ka bërë atë gjë aq të pështirë në Bruksel, është i qartë dhe gjakftohtë, edhe pse ka qejf të duket i fisëm mes të huajve. Atyre ua shpjegon më vete, që e ka detyruar Basha.
E gjitha është një vendim personal i Lulzim Bashës, për t’u hakmarrë ndaj një kundërshtari qe eshte numuri dy në PS, Taulant Balla, për shkak të qëndrimeve të tij agresive ndaj bizneseve të kunatit të Lulzim Bashës dhe denoncimeve në Prokurori.
Ka mjaftuar fillimi i betejës së Ballës me publikimin e bilanceve të Erion Isufit, me nxjerrjen në skenë të emrit të biznesmenit Xhuvi Furxhiu, ortak i vjehrrit të Lulzim Bashës, dhe çuarja e Lulzim Bashës në Prokurori, që gjithë PD të vihet në dispozicion të Lulzim Bashës, kundër një njeriu.
Prej qershorit, kur Balla ka shtuar ritmin e denoncimeve ndaj familjes Basha-Isufi, po prej qershorit kanë filluar edhe montimet e “supermenit” Balla, që gjendet herë në Vlorë tek “Babalja”, herë në Fushë Krujë tek Xhisiela, herë në Gjermani tek “Toyta Yaris”, herë në 18 chartera, e kështu me radhë.
Është e gjitha një përdorim i pamëshirshëm i PD për interesa tërësisht personale të Lulzim Bashës.
Dhe për t’u treguar të gjithëve se duhet të jenë në shërbim të tij, ai ka përzgjedhur atë që bën më të vështirin në PD, atë që bën njëkohësisht dhe më të pavarurin, Genc Pollon.
E ka marrë dhe e ka përdorur si zagar gjuetie në mes të Brukselit, duke lënë pa fjalë gjithë eurodeputetët, jo që të turpërojë Shqiprinë, por t’u tregojë të tjerëve në PD, se të gjithë kanë një çmim për të paguar, nëse duan të jenë në rrethin e pushtetit të tij.
E ka bërë këtë me njeriun më cinik dhe më më jopopullor në PD, për të dëshmuar se ka për të gjithë një çmim për të paguar.
Dhe Genc Pollo e ka bërë me qetësi rolin që i është caktuar. Të tjerëve do t’u vijë radha në ditët që vijnë.
Skena të tilla nuk janë poshtëruese për Shqipërinë. Shqipëria është kjo që është dhe ne nuk e fshehim dot.
Atë që nuk e fshehim dhe shmangim dot në Tiranë, nuk kemi pse e fshehim në Bruksel. Kështu që nuk ka vend të shqetësohet askush për fatin e Shqipërinë në Bruksel, por për për fatin tuaj në Tiranë.
Dhe më shumë mendoj se duhet ta marrin seriozisht këta që kanë shpresa tek Lulzim Basha. Është rasti të kuptojnë se përse i duhet atij PD dhe përse i duhen njerëzit kukulla në PD.
Thjesht si letra higjenike për të pastruar fytyrën e pistë të familjes së tij, që për ironi nuk është e përbërë nga nëna, babai dhe vëllai, por vjehrri, vjehrra dhe kunati.