Deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma ka reaguar ndaj deklaratës së drejtorit të AKEP, sipas së cilës, ky i fundit nuk ka zbatuar ligjin për më shumë se 5 vite.
“Në reagim Drejtori i AKEP deklaron që nuk e kanë qëllim të kërcënojnë mediat se: “… po ta kishin qëllim do të mjaftonte zbatimi i ligjit”; pra AKEP mashtron, shantazhon publikisht mediat dhe në fund vetëdeklaron që nuk ka zbatuar as ligjin. Po pse nuk i ka mbyllur nëse kështu e kërkon ligji?! Përse sakrifikojnë të shkelin ligjin zyrtarët e AKEP? Ka vetëm një arsye që i jep përgjigje. Sepse i vlejnë më shumë t’i kenë të shantazhueshëm. Për më shumë se 5 vjet AKEP nuk paska zbatuar ligjin dhe tani nis raprezaljen e formalizimit sapo Kryeministri po i tund mediave ligjin e censurës”, – thotë Duma në reagimin e saj.
Më tej, deputetja vë në dukje se “askush dhe për asnjë arsye nuk do amnistohet me iluzionin se ka mbrojtje politike. AKEP do të mbajë përgjegjësi si polici e paligjshme e mendimit dhe si shantazhuese de facto e fjalës së lirë”.
/b.d