Deputeti i Partisë Demokratike Luçiano Boçi i kërkon ministrisë së Arsimit të japë shpjegime për ato që i cilësoi si plagjiatura të zv/ministrit të Arsimit Ervin Demo. Ai ka kërkuar reagim edhe nga grupi parlamentar i PS-së për deputeten Blerina Gjylameti që sipas PD-së, po ashtu, ka kryer plagjiaturë.
“Prej disa ditësh, është bërë i njohur denoncimi publik dhe me fakte i një studiuesi të njohur dhe kërkuesi shkencor, mjekut Taulant Muka, lidhur me një botim-plagjiaturë që mban nënshkrimet e deputetes socialiste Blerina Gjylameti dhe të zëvendësministrit të Arsimit Ervin Demo”, tha deputeti i Partisë Demokratike Luçiano Boçi
“Nga faktet publike, artikulli shkencor me titull “Universitetet dhe transferimi i teknologjisë”, botuar në vitin 2011, rezulton se në të vërtetë nuk është punë origjinale e tyre. Ata kanë përvetësuar idetë dhe punën e të tjerëve, pa cituar burimin origjinal, duke shkelur të drejtat e autorëve dhe produktet e tyre intelektuale. Ministria e Arsimit, e cila është ftuar publikisht të deklarohet lidhur me denoncimin, ka heshtur, duke refuzuar t’u përgjigjet pyetjeve publike të vetë studiuesit Muka, por edhe interesimit të medieve dhe opinionit publik intelektual”, tha ai.
/b.d