Tetori gjerman, i cili këtë vit zhvillohet nën moton “Frymëzuar nga njerëzit”, ka sjellë në Shqipëri, Sandra Hoffmann një prej shkrimtareve të njohura të Gjermanisë.
Ndryshe nga shumë emra të njohur të botës, njohjen me vendin tonë e bëri përmes një udhëtimi 5 ditor me autobus, në disa qytete të vendit.
Kjo ishte edhe “muza” që e frymëzoi Hoffmann gjatë bashkëbisedimeve, leximeve autoriale dhe seminareve, ku prezantoi përvojën krijuese si dhe historinë e romanit të saj “Paula”.
Sandra Hoffmann: “Ashtu si për shumë prej jush që kur vizitoni Gjermaninë, ajo ju duket e bukur, e tillë më është dukur edhe mua Shqipëria në udhëtimin 5 ditor që bëra. E magjishme dhe e bukur.
Qëllimi i udhëtimit ishte pikërisht kjo, lëvizja me autobus, kontakti i afërt me njerëzit dhe sa më shumë fotografi. Kam arritur të takoj njerëz, gjithmonë duke thënë me vete, të kem fatin e mirë që të mos hasin të keqin. Në fakt takova të dyja këtu, edhe të mirën edhe të keqen.”
Me guxim dhe butësi, Sandra Hoffmann, tregon historinë e gjyshes së saj Paula, duke i kundërvënë pushtetit të heshtjes fuqinë e fjalës.
Arjan Leka: “Sfida e madhe ka qenë se autorja ka ditur ta rrëfejë dhe përkthyesi ka ditur sesi ta sjellë në shqip.”
Ky roman i shkruar me guxim dhe butësi, që i kushtohet “…një familjeje, tri grave, tri brezave – dhe një heshtjeje të thellë mes tyre, kundrejt të cilës të ndihmon vetëm një gjë: të rrëfesh”.
Sandra Hoffmann është një shkrimtare e lirë që jeton në Mynih dhe jep mësim lëndën “shkrim krijues”.
Ajo është nderuar me disa çmime për veprat e saj./Oranews
a.ç