“Rikthimi i publikut në teatër, në muze është detyra jonë është emergjencë kombëtare dhe kjo nuk bëhet as me një ditë as me një mandat, por ka gjithmonë një ndërgjegjësim të politikës për këtë gjë”, theksoi sot ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.
Në fjalën e saj në Kuvend, Kumbaro tha se “prandaj e gjithë vëmendja jonë është kthyer tek kultura, tek trashëgimia kulturore, për të forcuar identitetin tonë kulturor, ndërgjegjen tonë kulturore, si përkatësi europiane, por edhe sepse jemi sot më shumë se kurrë dëshmitarë që luan ky sektor në ekonomi dhe turizëm”.
Sipas saj, çdo investim në kulturë është investim për mirëqenien e sotme dhe për investimin e të ardhmes .
“Është detyrë qytetare të flasim për këtë dhe detyrë politike të këmbëngulim që investimet në kulturë të konsiderohen strategjike”, tha Kumbaro.
“E gjithë vëmendja jonë është tek njerëzit dhe tek e ardhmja e tyre. Të tillë e kemi gjykuar kulturën kur kemi vendosur punuar realizuar në 4 vite investuam dhe hapëm katër muze të rinj me standarde europiane që janë krenari kombëtare dhe pasaporta jonë më e mirë”, nënvizoi Kumbaro duke shtuar se i fundit muze që trashëguam në 2013 ishte Muzeu Historik Kombëtar i hapur që në 1982 dhe që qysh atëherë nuk kishte parë më investim me sy.
Prandaj , vijoi ajo, tashmë kemi nisur punën për dy projekte të rëndësishme , përgatitjen e projektit për rehabilitimin e Muzeut Historik Kombëtar dhe për përgatitjen e projektit për rehabilitimin e Muzeut të Arteve të Bukura, ose siç njihet ndryshe Galeria Kombëtare e Arteve .
Duke folur për investimet në teatro, Kumbaro tha se “kemi hapur jo pak kantiere teatrore. Në Korçë rindërtuam teatrin nga e para në Shkodër restauruam dhe rinovuam Teatrin Migjeni, në Tiranë tashmë kemi hapur dhe inauguruar një institucion të ri artit skenik që është plot çdo natë, gëlon puna në Teatrin e Operës dhe Baletit , po rikonstruktohet teatri në Fier, është pothuajse plot amfiteatri veror tek liqeni dhe nuk do të ndalemi.
“Teatri Kombëtar dhe jo vetëm do të jenë kantieret në vijim. Nuk janë fasada janë respekt për artistët dhe vëmendje për kushtet e tyre të punës janë nevojë e shoqërisë për të siguruar akses dhe shërbim për publikun, Janë detyrë politike për të garantuar edukim dhe kulturim për shoqërinë”, tha ministrja Kumbaro.
/b.d