Nga Michael Rossi – Foreign Policy
Qëkur lidershipi shqiptar etnik në Kosovë shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, ky territor ka mbetur një subjekt i diskutueshëm dhe pjesërisht sovran. Aktualisht, Kosova është njohur nga më shumë se 110 vende të ndryshme me apo pa ndikim që nga Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania, deri te Malavi dhe Vanuatu. Megjithatë, sovraniteti i Kosovës mbetet de facto; ajo ende nuk ka arritur të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara, ka vetëm perspektiva të largëta për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe është ende shumë e varur nga sponsorizimi diplomatik i shteteve që i dalin në mbrojtje.
Aktualisht, sovraniteti i Kosovës kundërshtohet nga Serbia, e cila gëzon mbështetje nga anëtarët e Këshillit të Sigurimit si Rusia dhe Kina; pesë vende në BE, duke përfshirë Spanjën dhe Qipron, të cilat kanë edhe për vete problem të separatizmit, dhe një numër vendesh të tjera në mbarë botën, mes të cilave India, Brazili dhe Indonezia. Si e tillë, Kosova e gjen veten në një konflikt të ngrirë të ngjashëm me territoret e tjera të diskutueshme si Qiproja Veriore, Nagorni-Karabaku, Transnistria dhe Abkhazia. Të gjithë janë funksionalisht të ndara nga shteti prej të cilit janë larguar, por njëkohësisht nuk janë në gjendje të gëzojnë de jure sovranitetin e tyre.
Që prej vitit 2011, Bashkimi Evropian është përfshirë në mënyrë aktive në organizimin e një “normalizimi të marrëdhënieve” midis Serbisë dhe kësaj krahine. Një numër propozimesh parashikojnë që të dyja palët pajtohen për një farë “modus vivendi”, që mund ose nuk mund të përfshijë njohjen, por sigurisht bën thirrje për një Kosovë të qëndrueshme, demokratike, të integruar dhe multietnike me një minoritet serb të fuqizuar që mban lidhje të forta institucionale me shtetin e tij mëmë. Problemi është se asnjë marrëveshje nuk është arritur, që do të thotë se anëtarësimi në OKB ose BE vijon të mbetet i bllokuar pa afat.
Një opsion që ngrihet shpesh është ndarja e Kosovës në lumin Ibër. Kjo do të thotë t’i ribashkohet Serbisë pjesa veriore e Kosovës që popullohet kryesisht nga etni serbe, që i ka rezistuar integrimit brenda qeverisë së Prishtinës. Në këmbim, Serbia do të njihte pjesën tjetër të vendit si shtet i pavarur. Zyrtarisht ndarja është kundërshtuar nga të gjitha palët, përfshirë BE-në, OKB-në dhe Shtetet e Bashkuara, por shpesh është lënë të kuptohet nga disa politikëbërës se pranimi i një opsioni të fundit si ky do t’i jepte fund bllokimit. Kohët e fundit, zyrtarë të administratës Trump, përfshirë këshilltarin e Sigurisë, John Bolton, kanë deklaruar se nuk do ta pengojnë realizimin e një ideje të tillë, nëse për të bien dakord Prishtina dhe Beogradi.
Tani po flitet për ndarjen e Kosovës krahas një “shkëmbimi tokash” më të madh, sipas të cilit pjesa me shumicë serbe e Kosovës veriore i jepet Serbisë, ndërsa Kosova fiton rajonin e Luginës së Preshevës, me shumicë shqiptare. Përveç kësaj, Kosovës thuhet se do t’i jepet anëtarësia në OKB, ndërsa Serbisë do t’i hapet drita jeshile për anëtarësimin në BE. Burimi i këtyre thashethemeve është presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili me lëvizjet e tij synon ta portretizojë veten si i vetmi person që qëndron mes Serbisë dhe një katastrofe të mundshme diplomatike mbi fatin e Kosovës. Ai as nuk e ka konfirmuar dhe as mohuar se po zhvillohen diskutime të tilla me Hashim Thaçin, homologun e tij kosovar, ndërsa kjo gjë i ka rikthyer tensionet mes dy komuniteteve.
Argumentet në favor të ndarjes së Kosovës kanë ekzistuar që nga viti 1999 dhe përgjithësisht rrotullohen në pikat e mëposhtme:
Së pari, veriu i Kosovës kurrë nuk është futur nën kontrollin e Prishtinës, qoftë gjatë periudhës së tranzicionit pas ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999 apo pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Në këto kushte, Prishtinës i mungon autoriteti dhe legjitimiteti mbi një popullsi që në shumicën e tyre identifikohen si qytetarë të Serbisë sepse, në të gjitha kuptimet e fjalës, Serbia kurrë nuk ka reshtur kurrë së qeni funksionale në atë zonë. Mjetet e identifikimit lëshohen nga Beogradi, mallrat blihen me dinarin serb, posterat e zgjedhjeve serbe mbulojnë muret dhe politikanët nga Beogradi rregullisht shkojnë për vizita. Stacionet radiotelevizive serbe mbushin valët, kompanitë e serbe të telekomunikacionit ofrojnë shërbim të pandërprerë dhe shkollat vazhdojnë të funksionojnë brenda një kurrikule arsimore serbe.
Së dyti, pavarësisht pretendimeve zyrtare nga udhëheqësit shqiptarë të Kosovës për integritetin territorial dhe pacenueshmërinë e kufijve, shumica e dinë se veriu i kontrolluar nga serbët nuk do të integrohet kurrë plotësisht. Autoriteti i Prishtinës ka, në rastin më të mirë, thjesht simbolikën vizuale. Pushteti i vërtetë qëndron brenda një përzierjeje të ndezur të autoritetit të Beogradit, drejtuesve lokalë dhe një rrjeti të sofistikuar kriminal të organizuar, që udhëheq tri komunat dhe qendrën urbane të Mitrovicës në veri të Ibrit, si një rajon i shkëputur brenda një entiteti separatist.
Për vite me radhë, lidershipi shqiptar i Kosovës e ka akuzuar veriun për drejtimin e strukturave paralele – një tërësi organizimesh politike, ekonomike dhe sociale, të financuara nga Beogradi – një deklaratë ironike që të kujton mënyrën sesi u ngritën të tilla nga shqiptarët, kur Kosova ishte nën sovranitetin e Jugosllavisë.
Kohët e fundit, këto institucione paralele serbe kanë evoluar në partitë dhe organizatat politike të njohura në Kushtetutë brenda Kosovës, por ata ende marrin urdhra nga Beogradi dhe jo nga Prishtina.
Një argument i tretë në favor të ndarjes sugjeron se duhet të ketë të paktën një lloj “lëshimi” për Serbinë, nëse Kosova dëshiron të fitojë pavarësinë de jure. Veriu kurrë nuk do të integrohet, prandaj argumenti qëndron, por ai është pjesa e vetme e Kosovës që Serbia mund ta mbrojë në mënyrë të dukshme për shkak të afërsisë gjeografike të saj./a.ç