MAQEDONI– Në kushte kur dominon fushata e mbështetësve të referendumit në Maqedoni, ndërsa partia kryesore e opozitare VMRO-DPMNE vendimin se si duhet të veprojnë në lidhje me referendumin ua la qytetarëve, sipas analistëve ka mundësi të realizohet skenari për rezultat të suksesshëm të referendumit, si në aspekt të pragut të referendumit ashtu edhe në aspekt të numrit të qytetarëve që do ta mbështesin referendumin.
Analistët vlerësojnë se në “matematikat” në lidhje me referendumin, votat e elektoratit shqiptar do të jenë të rëndësishme.
Partitë duhet të kritikojnë, por gjithashtu edhe të ofrojnë zgjidhje. Fakti që partia kryesore e opozitës, VMRO-DPMNE, ua la qytetarëve vetë të vendosin se si do të veprojnë më 30 shtator, është papërgjegjësi politike e cila do të sjellë edhe përgjegjësi, konsideron analisti Marko Troshanovski nga Instituti për demokraci – “Societas Civilis”.
“Partitë duhet të kritikojnë, por edhe të ofrojnë zgjidhje, t’i orientojnë qytetarët dhe t’u ofrojnë zgjidhje për problemet e tyre. Në fakt, për këtë edhe ekzistojnë”, thotë Troshanovski.
Në kulmin e fushatës së referendumit, përfaqësuesit e huaj, paralelisht me takimet me kreun shtetëror, takohen edhe me liderin e opozitës, Hristijan Mickoski, pasi nga kjo parti, pas të gjitha takimeve e riafirmojnë qëndrimin se VMRO-DPMNE-ja e mbështet integrimin euro-atlantik të Maqedonisë, por edhe se partia nuk e pranon Marrëveshjen me Greqinë, duke e vlerësuar atë si të dëmshme dhe kapitulluese.
Pozita e “bojkotit heshtur” që e demonstron udhëheqësia e VMRO-DPMNE-së është e pritshme në një situatë kur partia përballet me fraksionizëm dhe një pjesë e anëtarësisë në ditën e referendumit do të tregojë se është më e pjekur se udhëheqësit, thotë Sulejman Rushiti, ish-politikan.
Në “matematikat” për referendumin edhe për ta arritur pragun e referendumit edhe për të siguruar mbështetje, të rëndësishme do të jenë votat e elektoratit shqiptar, konsiderojnë analistët.
“Elektorati shqiptar është i rëndësishëm për të gjitha proceset në vendin tonë, normalisht edhe për këtë, unë do të thosha moment historik për vendin tonë. Nëse gjykohet sipas anketave të deritanishme të publikuara të mendimit publik, pikërisht votuesit shqiptarë në Maqedoni, në pjesën më të madhe, sipas të gjitha gjasave do të jenë edhe vendimtarë për arritjen e pragut të lartë të nevojshëm për suksesin e referendumit. Disponimin e këtillë të elektoratit shqiptar në vend kuptohet se do ta shfrytëzojnë partitë, veçanërisht opozita, me qëllim që t’i avancojnë pozitat e tyre në ciklet e ardhshme zgjedhore”, thotë Paçemski.
a.ç