Nga Alfred Peza
Ajo që të bën menjëherë përshtypje në paketën e propozimeve të reja nga ana e opozitës shqiptare, të cilën ajo e ka quajtur Platforma “Antimafia”, është fakti se ato u panë më shumë si propozime “Antibiznes”
Qofshin pikat e paketës, argumentat, detajet e bëra publike, ligjërimi i folësve dhe ajo që mbeti në fund të fundit në memorien e opinionit publik, ishin vetëm emrat e disa biznesmenëve dhe të kompanive të tyre. Edhe lajmet e debati që vijoi pas kësaj në media, lidhej pikërisht me këtë listë dhe me fondet që kompanitë e tyre u tha se paskërkëshin marë nga buxheti i shtetit për punë publike, koncensione apo projekte në formën e PPP-ve.
Ideja se kemi të bëjmë më shumë me një Platformë Antibiznes, sesa me një paketë masash dhe propozimesh për përmirësimimin e ligjit Antiamafia, të forcohet për disa arësye:
Së pari, opozita jonë është e përbërë nga parti të vetquajtura apo të rreshtuara në të djathtë të spektrit politik shqiptar. Në çdo program politik, në çdo teori dhe praktikë të pluralizmit demokratik, forcat e djathta konsiderohen si përfaqësuese të kapitalit. Si përfaqësuese të biznesit, të punëdhënësve, të pronarëve, të klasave të pasura, shtresave të mesme e të larta dhe të aktorëve e faktorëve kryesorë të tregut. Ndaj, paketa e propozimeve të fundit, dukej thjeshtë një platformë që binte ndesh me thelbin identitar politik të opozitës sonë.
Së dyti, nëse do të ishte një Platformë Antimafia e mirëfilltë, në vend të emrave të biznesmenëve, opozita duhej të bënte publike emrat e kokave të krimit të organizuar shqiptar. Në vend të emrave të kompanive private, ajo do të duhej të kishte bërë publike emrat e grupeve, klaneve kriminale dhe të familjeve mafioze që kërcënojnë sigurinë tonë publike, rendin, jetën dhe pronën e qytetarëve shqiptarë.
Së treti, nëse do të ishte një Platformë Antimafia, në vend të aseteve të kompanive që janë ndër taksapaguesit më të mëdhenj të këtij vendi dhe parave që ato kanë qarkulluar për të kryer projektet e pretenduara, opozita jonë duhej të kishte bërë publike asetet e krimit. Pronat që ato zotërojnë, të vendosura me para të zeza nga aktiviteti në organizime mafioze apo grupe të strukturaura kriminale. Duhej të bënte publike milionat dhe miliardat e krimit të organizuar shqiptar dhe të zotohej se nëse nuk e bën kjo qeveri, kur ajo të vijë në pushtet, do ti konfiskonte të gjitha paratë e asetet dhe bosët e tyre do ti çonte përpara drejtësisë.
Së katërti, nëse ndër emrat e biznesmenëve të përmendur dhe kompanive të tyre, ka realisht shkelje të ligjeve aktuale, menjëherë pas prezantimit të Platformës së saj, opozita duhej të shkonte e të dorëzonte paditë konkrete, me prova, fakte dhe akuza specifike në Prokurori dhe pranë ambasadave të SHBA, BE dhe krejt trupit diplomatik në Tiranë. Duke kërkuar bashkë me këtë, edhe mbështetjen e medias, shoqërisë civile dhe opinionit publik shqiptar, për ta ndarë njëherë e përgjithmonë biznesin nga krimi dhe bashkë me të, edhe nga shteti e qeveria.
Së fundi, përderisa opozita jonë e trajtoi biznesin ai Mafia (askush nuk vë dorën në zjarr se në këtë listë biznesesh nuk ka edhe mëkatarë, përkundërzi!) dhe mafian si një gjë më pak të rëndësishme e të rrezikshme për shoqërinë dhe shtetin tonë ligjor, atëherë është e drejta e biznesit që të ndihet keq, e të reagojë pas kësaj. Në mos publikisht, në mos mediatikisht, me siguri që ajo do të dijë ta bëjë nesër, elektoralisht.
Të humbësh një partner shumë të rëndësishëm natyral, në rrugën e përpjekjeve të mundimshme për tu rikthyer në pushtet, këtë vetëm opozita jonë me sa duket mund ta bëjë. Për aq kohë sa vetëm ajo mund të ngatërrojë kaq keq dhe pa arësye, “kekun” me “byrekun”.
a.ç