Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në një konferencë për shtyp ka kërkuar që t’i jepet fund lojës së rrezikshme të korrigjimit të kufijve. Sipas tij, Thaçi nuk është serioz kur thotë se do të bashkojë Luginën e Preshevës me Kosovën.
Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka ripërsëritur edhe njëherë qëndrimin e tij dhe të partisë së tij se deklaratat e presidentit Hashim Thaçi për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, janë aventurë e tij e cila duhet të ndalet menjëherë. Kurti nënvizoi se kreu i shtetit nuk është serioz për këto deklarata pasi edhe kryeministrit të vendit i ka thënë që kjo po bëhet për shkaqe taktike.
Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje: “Së pari kryeministri i Kosovës ka deklaruar që presidenti i Kosovës nuk e ka përnjëmend bashkëngjitjen e Medvegjes, Preshevës e Bujanovcit. Ai ka deklaruar se presidenti i Kosovës i ka thënë këtij që kjo po bëhet për shkaqe taktike e jo program të mirë organizuar shtetëror e kombëtar, prandaj kjo aventurë personale e presidentit të ndalet menjëherë”.
Kurti ka kërkuar që ekipi negociator me Serbinë të formohet vetëm pasi nga shteti fqinjë të kërkohet përgjegjësi për vrasjet e kryera, të zhdukurit, dhunimet dhe plaçkitjet gjatë luftës së fundit. Ndërkohë, Vetëvendosje pritet që më 29 shtator të mbajë protestë e cila për qëllim ka ndaljen e pazareve siç i quajnë ata në mes të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
/b.d