Kryeministri Edi Rama pak ditë më parë prezantoi nismën e ndalimit të celularëve në shkolla, nga nxënësit por edhe mësuesit. Më shumë detaje në lidhje me këtë e ka dhënë zv/ministrja e Arsimit, Besa Shahini, e cila në studion e lajmeve të Ora News shpjegoi si do të bëhet e mundur ndalimi i telefonave.
Besa Shahini: Në secilën shkollë do të ketë një grup numrash që do të përdoren që do ta ketë secili prind, numri i drejtorit, i zv. drejtorit, numri i ndonjë mësuesi. Ata do të jenë celularë në dispozicion në shkollë që nëse prindi ka nevojë të ketë kontakt me fëmijën apo fëmija me prindërin të përdorin këto celularë. Në pjesën tjetër ideja është që t’i mbajnë celularët në shtëpi, mos t’i sjellin fare në shkollë. Por e kemi lënë që shkollat ta organizojë ashtu siç munden mëse miri, por kjo ka rezultuar deri tani… sepse nuk është nismë e re, është provuar në disa vende dhe ka rezultuar më e suksesshme kjo që mos ti marrin fare celularët me vete.
Shahini shpjegoi edhe avantazhet që ka mosprezenca e telefonit në shkollë. Ndërsa tha se do të ketë edhe masa ndëshkimore për ata që marrin celularë me vete, por kjo do të vendoset nga vetë shkolla pas diskutimeve me prindërit dhe nxënësit.
Besa Shahini: Arsyeja pse kemi vendosur ta fusim me kaq ngulm dhe që do ta monitorojme me rigorozitet se e kemi shumë seriozisht këtë pjesë është se është vërtetuar tani me studime të shumta se përqëndrimi nuk mund të jetë i fortë nëse bëhen disa gjëra në të njëjtin kohë. Pra nuk mund të mësohet në të njëjtën kohë as matematika, as fizika, as të bëhet një lexim nëse ekziston celulari. Është e mirë edhe për disiplinën në klasë që të gjithë të përqëndrohen më mirë në mësime. E kanë bërë edhe shtete të tjera. Franca e ka sjellë si vendim në pranverë, ne do ta zbatojmë sivjet. Nëse sjell dikush telefon në shkollë do të jenë ndëshkime të qarta që secila shkollë do ti diskutojë edhe me prindit edhe me nxënësit, që ta dinë kush janë rregullat e reja. Tani është një periudhë provuese, por nga java e fundit e shtatorit ose në fillim të tetorit do të jemi rigoroz në zbatim.