Sali Berisha shkruante sot, se një oficer policie në Krujë i ka çarë kokën me pistoletë një gruaje dhe ngjarja është fshehur.
Por Policia e Shteti në një reagim zyrtari i është përgjigjur Berishës.
Sipas saj, janë kryer të gjitha veprimet hetimore dhe ligjore për oficerin dhe ngjarja nuk është fshehur.
Reagimi i Policise:
Në lidhje me statusin e publikuar sot në rrjetet sociale nga deputeti S.Berisha, ku pretendohet se janë fshehur dy ngjarje nga Komisariati i Policisë Krujë, informojmë se:
Për ngjarjen ku është përfshirë në konflikt një oficer policie pranë Komisariatit të Policisë Krujë, janë kryer të gjitha veprimet e duhura ligjore.
Konflikti ka ndodhur më datë 23.08.2018, rreth orës 17:00, në rrugën “Kala” ku për motive të dobëta, të çastit (zënie rruge me mjet, për përparësine e kalimit) dhe janë konfrontuar fizikisht shtetasit B.T. 66 vjeç, K.T. 31 vjeç (nipi i B.T.) dhe D.T. (mbesa e B.T.) banues në Krujë me shtetasit E.Q. 36 vjeç, punonjës policie dhe A.Q.41 vjeçe, motra e E.Q.
Oficeri i Policisë nuk ka qenë në detyrë kur ka ndodhur konflikti.
Në respekt të paanshmërisë së hetimeve, të gjitha veprimet hetimore mbi ngjarjen e mësipërme janë kryer nga oficeri i Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, nën drejtimin e Prokurorisë duke filluar procedim penal në gjendje të lirë në ngarkim të shtetasve B.T. dhe K.T. për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje” në bashkëpunim.
Komunikata nga Oficeri i Policisë Gjyqësore të Prokurorisë është dhënë ditën e sotme dhe do të pasqyrohet në komunikatën zyrtare të Policisë së Shtetit ditën pasardhëse.
Në lidhje me ngjarjen ku në garazhin e shtetasit Sh.Sh. është vendosur një sasi lëndë shpërthyese informojmë se njoftimi është bërë publik në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit në komunikatën e publikuar sot.
/b.d