Me rreth 2000 vizitorë në ditë, “Syri i Kaltër”, monumenti natyror më i rëndësishëm në aksin nacional Gjirokastër-Sarandë po njeh kulmin e interesit të vizitorëve që prej fillimit të muajit gusht.
Burimi me formë ovale i rrethuar nga një kurorë e dendur bimësie dhe pemë qindravjeçare rrapi është burimi më i madh dhe më interesant mes 18 burimeve që burojnë prej rrëzës së Malit të Gjerë.
Megjithë bukurinë e rrallë natyrore që ofron parku përballja e parë me të është problematike. Era e keqe dhe ndotja e akumuluar prej vitesh në liqen ne hyrje të parkut është duke u kryesuar listën e ankesave të vizitorëve. Vizitorët ankohen edhe për cilësinë e rrugës hyrëse dhe mungesën e parkimeve thotë Qëndrim Zani, inspektor i zonave të mbrojtura.
Vizitorët nga Kosova dhe shqiptarët e diasporës po mbajnë një peshë të konsiderueshme këtë vit. Ata duken të kënaqur me natyrën por presin më shumë shërbime dhe ndërhyrje në infrastrukturë.
Ndryshimet që erdhën pas riorganizimit të administrimit dhe vendosjen e parkut nën varësinë e Agjencisë së Zonave të Mbrojtura diktuan rregullore të re për parkun përfshirë këtu edhe ndalimin e zhytjeve në burim çka duket gati e pamundur megjithë sinjalistikën që e ndalon notin dhe patrullimin disa herë në ditë të specialistëve. Duket se gjysma e vizitorëve vijnë në Syrin e Kaltër për tu zhytur në ujërat e burimeve të tij.
Syri i Kaltër në qendër të parkut me sipërfaqe 180 ha përfaqëson një prej burimeve më të rrallë nëntokësorë që ushqehet me ujin e përrenjve që burojnë nga Mali i Gjerë.
Ky destinacion i turizmit natyror ka njohur këtë vit dyfishim të vizitorëve, por shërbimet për ta ende lënë për të dëshiruar.
ma.me