Një familje angleze, që ka zgjedhur Shqipërinë për të kaluar pushimet verore, është përballur me një të papritur që u rrezikoi edhe jetën gjatë udhëtimit nga Tropoja për në Shkodër. Teksa po udhëtonin në rrugën e Komanit, dhjetëra gurë janë shkëputur nga mali dhe kanë rënë në mjetin ku ndodheshin katër personat e familjes, bashkëshortët dhe dy fëmijët e tyre të mitur. Kryefamiljari Martijn Stolte tregon frikën që kanë përjetuar, ndërsa të gjithë pjesëtarët e familjes për fat të mirë nuk u dëmtuan.
“Fillimisht nuk e kuptuam çfarë po ndodhte sepse ishte shumë shi dhe zhurmë, pastaj u bë edhe më shumë zhurmë nga shiu që binte dhe makina goditej bam bam bam. Vetëm më pas e kuptuam se xhamat ishin thyer dhe makina nuk funksiononte mirë. Jemi larguar disa metra për të ikur nga vendngjarja në mënyrë që të mos rrezikonim”, shprehet turisti nga Anglia.
Ata po udhëtonin nga Tropoja drejt Shkodrës me një makinë “Skoda” dhe në momentin që kanë mbërritur te rruga e Komanit, Martijn, bashkëshortja Helene dhe dy fëmijët 4 dhe 8 vjeç janë përballuar me një rrebesh gurësh që binin nga lartësia e malit. Atyre u kanë ardhur në ndihmë persona të rastësishëm, të cilët anglezi i quan të mrekullueshëm.
“Ishim duke udhëtuar në rrugë dhe kishte shumë reshje shiu. Papritur gurët nisin të binin në makinën tonë. Xhamat janë thyer dhe makina u dëmtua menjëherë. Fëmijët nisin të qajnë, por ne ndaluam shpejt dhe falë Zotit asgjë s’kishte ndodhur dhe të gjithë jemi shumë mirë. Thjesht është dëmtuar makina. Unë isha me gruan dhe dy fëmijët, 8 vjeç dhe 4 vjeç. As vetë nuk e di se çfarë kam përjetuar. Njerëzit e mrekullueshëm të Shqipërisë na ndihmuan shumë. Ata morën gruan time, dy fëmijët dhe i kanë dërguar në hotel dhe tani po çoj edhe makinën nëse do mund të rregullohet. Ndaluam dhe familja e parë që kemi takuar është një familje italiane. Shoferi shqiptar që po transportonte italianët mori fëmijët dhe gruan time”, tregon ai.
Ajo çfarë përjetuan Martijn dhe familja e tij është një realitet i frikshëm. “Për pak minuta kisha frikë sepse isha me fëmijët e vegjël. Jam me fat që dy fëmijët nuk janë dëmtuar asnjëri, edhe pse unë kam disa gërvishtje të vogla. Është e vështirë për të treguar se sa gurë kanë rënë, por besoj se 4 të mëdhenj dhe pastaj shumë tjerë të vegjël pa pushim kanë goditur makinën time”, tregon më tej turisti. Martijn Stolte është gati i surprizuar nga ndihma dhe mikpritja që gjeti në Shqipëri, aq më tepër kur ndodhej mes maleve pa ditur asnjë fjalë shqip.
“Isha në Tropojë në Valbonë, kalova një ditë shumë të bukur, vendi i pritjes i mrekullueshëm dhe më pas do shkoj në Ulëz dhe në Borsh. Është hera e parë që vijmë në Shqipëri. Njerëzit janë shumë mikpritës dhe të dashur. Kur na ndodhi kjo ngjarje, të gjithë kërkonin të na ndihmonin dhe u ndjemë shumë mirë nga kjo sepse ne ishim në mes të maleve dhe nuk dimë asnjë fjalë shqip. Ishim me fat që asnjëri nuk u dëmtua, pavarësisht makinës dhe në krahasim me çfarë mund të kishte ndodhur, vërtet ishim me shumë fat sot. Nuk më intereson që është dëmtuar makina, por më intereson që kemi shpëtuar, makina do rregullohet dhe do vijojmë rrugëtimin tonë në Shqipëri”, u shpreh ai.
PANORAMA
ma.me