Ai është një nga tre futbollistët më të njohur në botë, pas Lionel Mesit dhe Kristiano Ronaldos. Bëhet fjalë për yllin e Liverpulit, egjiptianin Mohamed Salah. Së fundmi ai është futur në telashe, pas filmimit që i është bërë nga një tifoz.
Çfarë ka bërë?
Për ne shqiptarët në fakt duket budallallëk, por policia britanike tashmë ka nisur hetimet, pasi Salah është filmuar duke dërguar një mesazh me telefon, ndërsa ishte në makinë (jo duke i dhënë, por thjesht po dërgonte një mesazh, ndërkohë që makina kishte ndaluar). Gjë e cila është e ndaluar.
Por, ndërsa në Britani policia ka nisur menjëherë hetimet, edhe pse bëhet fjalë për një personazh të njohur, në Shqipëri dërgimi i mesazheve me telefon, ndërsa i jep makinës, është i zakonshëm.
Mjafton të bësh një shëtitje në Tiranë, dhe do të shohësh qindra drejtues me telefon në vesh, ose në dorë (sidomos femrat). Dhe pastaj bëjnë llahtare me makinë, ndërkohë që policia mjaftohet vetëm duke bërë ndonjë apel nëpër media. /ma.me