Në gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë maturantët kanë nisur të plotësojnë formularin A2. Sot është dita e parë e aplikimeve, të cilat do të zgjasin deri më 4 gusht. Në këtë gjimnaz janë rreth 60 maturantë që do të bëhen pjesë e këtij procesi, të cilin Report TV e ndoqi sot nga afër.
Për mbikqyrësen e procesit të aplikimeve në këtë shkollë Petrina Mataj, procesi deri më tani ka qenë i rregullt. Maturantët janë njohur më herët me kushtet e aplikimeve, por sërish administratorja Mataj bën thirrje që të kenë kujdes në përzgjedhjen e degëve.
“Maturantët duhet të tregohen të matur. Të mos bëjnë aplikime të nxituara, të mos ndikohen nga zgjedhja e shokut. Pse ka shkuar shoku në këtë degë, të shkojë edhe unë. Të hedhin degët që mësojnë më mirë. Këtë vit ndryshimi që kanë maturantët është sistemi i renditjes, i cili nuk është më meritë-preferencë. Nuk është më sistemi meritë-preferencë. Tani është vetëm meritë. Maturanti mund ta vendosë degën në cilindo rend që do dhe mendon”, thote Petrina Mataj, mësuese
Mbikqyrësja Mataj bën me dije se kanë qenë të shumtë dhe maturantët që do të aplikojnë për studime jashtë vendit. Ky është raundi i parë i aplikimeve të formularit A2 për maturantët. Në datën 27 gusht ata do të njihen me rezultatet dhe degët në të cilat kanë fituar për të bërë më tej zgjedhjen përfundimtare të tyre për vazhdimin e studimeve të larta.
ma.me