Ministri i Jashtëm i Rusisë i tha homologut të tij amerikan të shtunën se një grua e arrestuar në SHBA për akuzat se ajo ishte një agjente ruse, është arrestuar me “akuza të fabrikuara” dhe duhet të lirohet. Sergei Lavrov i bëri komentet për Maria Butina në një telefonatë me sekretarit të Shtetit të SHBA, Mike Pompeo, i cili kishte për qëllim përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe, tha ministria e jashtme ruse në një deklaratë në prag të samitit të fundit në Helsinki.
Të mërkurën, një gjykatës amerikan urdhëroi Butinën të burgoset deri në gjyqin e saj pasi prokurorët argumentuan se ajo kishte lidhje me inteligjencën ruse dhe mund të largohej nga vendi. Butina është akuzuar se punon me një zyrtar të lartë rus dhe dy qytetarë të paidentifikuar të SHBA, duke u përpjekur të depërtojnë në Shoqatën Kombëtare të Armëve dhe të ndikojnë në politikën amerikane ndaj Rusisë.
Lavrov tha se veprimet e autoriteteve amerikane, të cilët arrestuan Butinën “në bazë të akuzave të fabrikuara”, ishin të papranueshme dhe kërkuan lirimin e saj sa më parë.
Lavrov dhe Pompeo diskutuan gjithashtu mënyrat për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe mbi “baza të barabarta dhe reciprokisht të dobishme” pasi Vladimir Putin dhe Donald Trump u takuan të hënën në Helsinki.
Ata gjithashtu biseduan mbi përpjekjet e mundshme të përbashkëta që synonin përmirësimin e situatës humanitare në Siri, tha deklarata dhe “sfidat” e bisedimeve bërthamore me Korenë e Veriut, shkruan “The Guardian”. (b.an)