Regjisori i njohur Altin Basha ka dhënë një intervistë të gjatë për gazetën “Panorama”, ku sqaron marrëveshjen e arritur mes artistëve dhe kryebashkiakut Erion Veliaj për ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar. Por, nga ana tjetër ai ka zbuluar se Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit është një grupim që drejtohet kryekëput nga Partia Demokratike dhe prezenca e PD aty është absolute.
Me tone keqardhëse, Basha shton se ai dhe kolegët e tij u tradhëtuan nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, por edhe se ajo drejtohet nga njerëz që nuk e dinë çfarë duan dhe i ndryshojnë qëndrimet e tyre vazhdimisht.
Basha është i mendimit se lëvizja Aleanca për Mbrojtjen për Teatrin është kthyer kthyer në një lëvizje partiake, ku Partia Demokratike flet me zërin e Aleancës. “Prezenca e PD ka qenë shumë e fortë gjatë gjithë historisë së protestës, por tani mendoj se prezenca e tyre është absolute. Ne nuk e kemi konsideruar problem këtë… përderisa qëndrimet tona ishin parimore. Mbështetja e partive na interesonte, edhe sepse unë kam deklaruar që nuk duhet ta kthenim lëvizjen në vegël të opozitës në luftën politike, por na intereson zgjidhja e problemit të teatrit. Sigurisht që, kjo nuk ndodhi dhe ajo tanimë është një lëvizje tërësisht politike. Ajo është kthyer në lëvizje partiake. Aty është Partia Demokratike që flet me zërin e Aleancës, nuk ka asgjë të keqe të jetë politike, që flet me zërin e aleancës. Nuk ka asgjë të jetë politike, por jo partiake, pasi tanimë del që ne që kemi një mendim ndryshe, jemi blerë ose jemi të së majtës dhe ata që dalin atje, janë njerëz të ndershëm. Megjithëse për të qenë të ndershëm me publikun, ata duhet t’ua bëjnë të qartë që ajo sallë nuk mban. Njerëzit punojnë atje, e dinë fare mirë se në çfarë gjendje është”, deklaroi Basha.
Regjisori shtoi se në dy orë debat me kryebashkiakun Veliaj, është rënë dakord për tre pika: truallin, dy përfaqësues në negociata dhe është kërkuar konkurs ndërkombëtar. “Kur u takuam për të shkuar në Bashki, Derhemi më thotë që Çeloaliaj nuk vjen, sepse ka vendosur të mos vijë. Kemi ndenjur dy orë tek Erion Veliaj. Kemi negociuar, ramë dakord që të mos cenohej trualli; ramë dakord për dy përfaqësues të komunitetit që do të jenë në komisionin e negociimit për kontratën dhe kemi mbrojtur çështjen e konkursit ndërkombëtar. Kemi pasur debate shumë të forta, me argumente dhe kundërargumente dhe në fund, u gjet si zgjidhje që konkursi të merrej parasysh, por do të vendosej në një dëgjesë të tretë. Parimisht konkursi ndërkombëtar u pranua. Kemi dalë nga takimi me Veliajn dhe kemi takuar Gjergj Bojaxhiun, që na lexoi një deklaratë të Aleancës, e cila shprehej pro konkursit ndërkombëtar. Me atë deklaratë ishte dakordësuar Kastriot Çipi dhe Alert Çeloaliaj. SASE na tradhtoi, na prezantoi para opinionit publik si njerëz që kishim shkuar atje për biseda private, çka nuk është e vërtetë, pasi ne kishim biseduar me përfaqësues të tyre dhe të Aleancës. Kam qenë dhe jam i hapur për çdo lloj ballafaqimi, unë nuk kam asgjë për të fshehur dhe ata e dinë, por ata kanë një problem me të vërtetën e tyre sepse nuk e dinë se çfarë qëndrimi të mbajnë. I kanë ndryshuar ato në mënyrë të vazhdueshme, sepse adoptojnë pjesë të qëndrimeve të paunifikuara”, deklaroi Basha.
Sa i përket mendimit të tij personal në lidhje me fatin e teatrit, regjisori Basha thotë se ka ardhur koha që Tirana të ketë një teatër të ri modern, pasi ai aktuali nuk ofron më asgjë mundësi për zhvillimin e krijimtarisë artistike. “Unë mendoj se duhet një godinë e re. Pjesa muzeale mund të zgjidhet brenda godinës së re. Jam gati të debatoj me këto për këtë pikëpamje. Si regjisor po ju deklaroj me përgjegjësi se ajo godinë nuk ofron mundësinë për zhvillimin e një krijimtarie cilësore teatrore dhe si rrjedhim, një cilësi të ulët produkti për spektatorët”, theksoi Basha.
ma.me