Rexhep Selimi, deputet i Vetëvendosjes, ka thënë se Serbia e sheh presidentin Hashim Thaçi si partnerin më të mirë nga Kosova dhe me të ka krijuar partneritet të cilin nuk dëshiron që ta prishë, duke përfshirë figura tjera nga Kosova në dialog. Sipas Selimit, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk është që ka refuzuar dialogun “për t’u marrë me punë të brendshme”, por këtë punë nuk ia lëshon presidenti Thaçi dhe Serbia.
“Më duket që është problemi te partneri i tij, te Thaçi. Ai që nuk lejon të lëshojë bisedimet. Nuk është problemi që nuk do, por që Thaçi s’e lëshon atë pozicion. Për ironi kemi thënë që kur ka qenë ai kryeministër ka qenë dialog kryeministrash. Tash që është president, është dialog presidentësh. Po të ishte kryetar komune do të ishte dialog mes kryetarëve të komunave.
Ai nuk e lëshon nga duart dialogun. Tash po e proklamon edhe epilogun. Kështu e do edhe Serbia sepse po t’ia hiqnim Thaçin ajo do të reagonte sepse e ka krijuar një partneritet të të gjitha rrugëve me Thaçin dhe kushdo tjetër do të prishte atë partneritet”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.
Selimi ka thënë se dialogu dhe forma e tij është problemi kryesor që e shqetëson Vetëvendosjen dhe jo se kush e udhëheqë atë. Sipas tij, forma aktuale mund të sjellë epilog edhe ndarjen e Kosovës, përgatiti Koha. (b.an)