Nga Mero Baze
Ka një agresion në rritje ndaj dy ambasadorëve më të rëndësishëm të Perëndimit në Shqipëri, ambasadores së BE, Romana Vlahutin, dhe atij të SHBA, Donald Lu, në prag të largimit të tyre. Grupi agresiv është i njëjti. Janë të njëjtët njerëz, emra apo portale, që kanë qenë agresivë me ta qysh me fillimin e reformës në drejtësi. Është e njëjta llogjikë akuzash dhe e njëjta dorë që i shkruan. Sot Sali Berisha p.sh, kishte bërë një shkrim të gjatë anonim tek portali i djalit, ku i përmblidhte dhe një herë të gjitha akuzat që i ka përsëritur këto tre vjet.
Po pse kaq aggressive, ndërkohë që ata po largohen pasi u përfundoi mandati?
Sali Berisha ka qenë agresiv me gjithë ambasadorët e SHBA në Tiranë. Biles dhe me Rajersonin është ndarë keq, por jo publikisht. Me të tjerët i ka nxjerrë zinë. Mariza Linos i dogji flamurin amerikan para makinës, duke e zbuar nga selia e PD, me Limprehtin thuajse ndërpreu çdo komunikim dhe e sulmonte në mitigje si guvernator i paemëruar i Shqipërisë, me Xhefrin u mërzit se ai e detyroi t’i kërkonte ndjesë Nikola Gejxhit, me shpresë se do t’i përmirësonte kredencialet ne SHBA, por ai thjesht e pajtoi me Nanon. Me Uithersin u tërbua nga portretizimi brilant prej harvardiani që i kishte bërë familjes së tij mafioze në rastin e Gërdecit, lidhjeve kriminale të të birit, si dhe roli i bandave të Berishës në vjedhjen e votave me 2009. Me Arvizunë u tërbua që e kuptoi shpejt masakrën ndaj shtetit ligjor që Berisha bëri pas 21 janarit për t’i shpëtuar drejtësisë, ndërsa me Donald Lu nuk i del shpirti sa të jetë gjallë, që i bëri peshqesh vendit reformën në drejtësi.
Pra Sali Berisha nuk e ka gjithë këtë vrer me këtë ambasador. E ka pasur me të gjithë. Por e veçanta e sulmeve të tij të fundit ndaj zotit Lu dhe zonjës Vlahutin, vjen nga fakti që sa më shumë afrohet dita që ata do ikin dhe fizikisht, aq më agresiv po bëhet Berisha me të vetët, përfshi dhe LSI-në.
Kjo nuk ka të bëjë me Lu e Vlahutin. Ata ikin në punë të tyre dhe në shtator do ta tregojnë në barcaleta në kafetë e mëngjesit, këtë fushatë.
Berisha me të vetët realisht po kërkojnë të kompleksojnë ambasadorët e rinj, t’u tregojnë atyre se çfarë i pret, nëse ata do të vazhdojnë rrugën e ambasadores Vlahutin dhe ambasadorit Lu. A thua se këta të dy kishin axhendë private në Shqipëri dhe qeveritë respective, pas kësaj po i lënë pa punë. Ata në fakt po vazhdojnë karrierën e tyre profesionale të vlerësuar nga qeveritë e tyre.
E gjithë bëhet që të mbajnë njerëzit me shpresë dhe këtë verë, që ambasadorët e rinj do ndryshojnë situatën dhe pastaj, nëse ata nuk e ndryshojnë, do fillojë avazi.
Ndaj dhe sulmet e pacipa të ditëve të fundit nuk kanë më lidhje me këta që po ikin, por me ata që po vijnë. Vetëm se ata që vijnë, më shumë se sa tremben, egërsohen nga banalitete të tilla. Qoftë dhe për faktin se i bëjmë të mendojnë një sekondë, se çfarë njerëzish banalë i presin në Tiranë.