Një ngjarje e rëndë ndodhi sot në Tiranë ku u gjet i vdekur me plagë të shkaktuar nga armë zjarri njëri prej dy shoferëve të Ministrit të Brendshëm, gardisti 31-vjeçar Shkëlzen Qordja.
Fillimisht, në media qarkulloi një pistë se shkak mund të jetë bërë pezullimi i gardistit nga detyra dy ditë më parë.
Por, Ministria e Brendshme në reagimin zyrtar për ngjarjen sqaroi se gardisti ishte efektiv në funksion. Edhe prezenca e tij në ambjentet e punës e konfirmon këtë qëndrim pasi ai u gjet i vdekur në garazhin e gardës, ku lejohet të hyjnë vetëm anëtarët e stafit.
Por, konfirmimi ka ardhur edhe nga Drejtori i Komunikimit në Ministrinë e Brendshme Ardi Bita. Ai ka deklaruar se viktima ishte ende pjesë e Gardës dhe lajmi se 31-vjeçari ishte pezulluar është i pavërtetë.
Të gjitha të dhënat paraprake të ngjarjes flasin për vetëvrasje të gardistit të ri. Por, policia nuk e ka dhënë ende verdiktin përundimtar duke pritur ekspertizën mjekoligjore dhe analizimin e të gjitha provave./JavaNews/a.m.