Një 15-vjeçar në Britaninë e Madhe bëhet rasti i parë i diagnostikuar me varësi nga interneti. Adoleshenti nga Londra veriore është i pari që diagnostikohet me këtë çrregullim nga shërbimi shëndetësor britanik (NHS), pasi djali nuk ka dalë nga shtëpia për një vit rresht.
Vendimi u konsiderua i rëndësishëm nga mamaja e 15-vjeçarit, Kendal Parmar, e cila është përpjekur për 3 vjet me radhë që ky çrregullim i të birit të njihet dhe të trajtohet si sëmundje nga mjekët.
Konfirmimi i këtij rasti vjen një muaj pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë i klasifikoi lojërat në internet si një çrregullim i shëndetit mendor.
“Unë e quaj një varësi e heshtur. Nëse do të qëllonte me armë në një park, shoqëria do të shqetësohej. Nëse do të dilte me motor në rrugë i dehur, të gjithë do të bënin kujdes. Por askujt nuk i bëhet vonë përsa kohë ai qëndron i ulur para ekranit në dhomën e gjumit”, thotë nëna e djalit.
Ajo thotë se i biri ishte një fëmijë i pasionuar pas sportit, kapiten i skuadrës së regbisë dhe kriketit, tip i shoqërueshëm dhe me rezultate të mira në shkollë.
Por varësia nga lojërat në internet e ka shndërruar atë në një të burgosur në shtëpinë e vet.
“Përsa kohë është zgjuar, ai dëshiron të qëndrojë duke luajtur. Për të nuk ka botë jashtë shtëpisë”, thotë e ëma, e cila ka themeluar grupin Untapped AI, i cili mbështet përdoruesit e varur nëpërmjet kontaktit online.
“E kuptova se ishte varësi kur pashë se ishte online gjatë gjithë kohës, në vend që të bënte detyrat. Ai nisi të shmangte botën e vërtetë. Ai ka miq në komunitetin online dhe drejton mbretëri vituale. Për të, kjo është bërë aq reale sa nuk ka tjetër botë jashtë saj”, thotë ajo.
Trajtimi për çrregullimin e adoleshentit kushton 350 paund seanca. Kjo kosto e detyroi nënën t’i drejtohej spitalit dhe të këmbëngulte që problemi i të birit të njihej si sëmundje.
Në Britani, mendohet se rreth 4% e adoleshentëve e kanë këtë problem. Një ekspert i sjelljeve të varësisë i ka thënë gazetës “Telegraph” se merr letra nga prindër të dëshpëruar, që kërkojnë këshilla se si të veprojnë me fëmijët e tyre të varur nga lojërat.
ma.me