Sikurse pati premtuar, Ermal Meta do të mbajë sot një koncert në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë të organizuar nga Bashkia e Tiranës. Ai ka mbërritur mbrëmjen e djeshme në kryeqytet, ku zhvilloi edhe një takim special me Kryebashkiakun Veliaj dhe stafin e ambasadës italiane në tarracën e gjelbër të Bashkisë, ku ofrohet një pamje spektakolare e sheshit të transformuar, e xhamisë së vjetër, por edhe e Sahatit të Tiranës.
Ka qenë vetë kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ai që ka publikuar në twitter fotot me artistin Ermal Meta që na bëri të gjithë ne shqiptarëve krenar në Sanremo dhe në Eurovizion. “Mbërriti jo vetëm një artist i shkëlqyer, por djali i rrallë @MetaErmal. Sot do shihni e dëgjoni më shumë për historinë e tij frymëzuese që me gjasë do prekë e do të inkurajojë pafund të rinj shqiptarë! Në darkë ju presim të gjithëve në @SheshiSkenderbe për festën madhështore”, shkruan Veliaj në twitter. Koncerti i Ermal Metës mbrëmjen e sotme pritet me shumë interes, pasi shqiptarët e kanë mbështetur në karrierën e tij muzikore.
ma.me