BRITANI- Yulia Skripal, vajza e ish-spiunit rus, Sergei Skripal që ishte helmuar në Sallsbëri muaj më parë, ka thënë se “është e lumtur që është gjallë” pas sulmit. Yulia dhe babai i saj i ishin ekspozuar agjentit nervor Noviçok më 4 mars.
Në deklaratën e saj të parë publike prej kur ka ndodhur sulmi, Skripal i ka thënë agjencisë së lajmeve Reuters se jeta e saj është “përmbysur”, mirëpo ajo shpreson se do të kthehet në Rusi në të ardhmen.
I ati i saj është liruar nga spitali më herët gjatë këtij muaji. Duke folur për “Reuters”, Skripal ka falëndëruar ambasadën ruse për ndihmën, mirëpo ka thënë se ajo dhe babai i saj “nuk kanë qenë të gatshëm ta pranojnë atë”.
Yulia i ka cilësuar “të kujdesshëm” dhe “shumë të mirë” personat që janë kujdesur për të pas sulmit. “Ne jemi shumë me fat që i kemi mbijetuar tentim-vrasjes. Shërimi ynë ka qenë i ngadalshëm dhe jashtëzakonshëm i dhimbshëm”. Ajo po ashtu ka kërkuar që të ruhet privatësia e familjes së saj. (BalkanWeb)