Artur Zoto, ish-drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve i dënuar me 5 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda për korrupsion me tenderat e ushqimeve, kërkon pafajësinë në Apel.
Zoto pretendon se akuzat e ngritura ndaj tij nga Prokuroria për korrupsion pasiv dhe për rrjedhojë i dënuar nga shkalla e parë, janë të pabaza.
Avokati mbrojtës Ardian Leka tha se Gjykata ende nuk ka zbardhur vendimin që dënoi Zoton edhe pse kanë kaluar 10 ditë. Pritet që Apeli i Krimeve të Rënda të vendosë për këtë kërkesë të ish-kreut të Burgjeve, Artur Zoto.
Korrupsion me tenderët e vezëve dhe bulmetit
Artur Zoto u prangos afro një vit më parë ndërsa prokuroria përdori si prova ndaj tij deklarimet e ish vartësit të Zotos, Iliaz Labi, që mori statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë. Labi në deklarimet e tij zbuloi skemën e korrupsionit me tenderat e ushqimeve në drejtorinë e burgjeve.
Sipas Labit ai kishte marrë para nga biznesmenë duke përcaktuar fituesit e tenderit të vezëve dhe bulmetit, por Zoto e mohoi këtë akuzë duke thënë se jo vetëm s’ka marrë para, por as nuk flet e komunikon me Labin. Ndërsa për Labin të bashkëpandehur në këtë proces u kërkua dënim i konvertuar në liri për shkak të statusit që ka fituar Labi.
a.ç