30 ushtarë të rinj u bënë pjesë e një prej njësive elitë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Pjesëtarët më të rinj të batalionit Komando, u betuan pas përfundimi të kursit 3-mujor, gjatë së cilit treguan aftësitë e nevojshme fizike dhe psikologjike për të shërbyer në detyra dhe operacione të vështira.
Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka uroi ushtarët e rinj për përfundimin e kursit dhe i inkurajoi ata për përgjegjësitë shtesë, me të cilat ngarkohen tashmë.
“Dua t’ju përgëzoj të gjithëve për përfundimin e kursit. Jam vërtet shumë e impresionuar me çfarë pashë.
Kjo është një njësi elitë e Forcave tona të Armatosura dhe ju jeni bërë pjesë e saj, dhe për këtë pa diskutim që do të keni një përgjegjësi shumë të madhe dhe pritshmëritë që ne kemi për ju janë vërtetë pa kufi, ashtu sikundër janë pa kufi edhe shpresat njerëzore kur jetët janë nën kërcënim.
Ajo që ju përfaqësoni është si ajo drita në fund të tunelit. Është si ajo shpresa njerëzore që nuk vdes asnjëherë sepse me operacionet ku merr pjesë njësia juaj, ku ka marrë pjesë njësia juaj, me operacionet luftarake, por edhe me misionet paqeruajtëse dhe me të gjitha ndërhyrjet që komandot kanë bërë ndër vite për të siguruar jetët njerëzore në raste të krizave të shumta të fatkeqësive natyrore apo edhe të misioneve paqeruajtëse dhe misioneve luftarake, kanë qenë realisht ajo shpresa që i është dashur njerëzve që i është kërcënuar jeta”, u shpreh ministrja Xhaçka përpara komandove të rinj.
Më tej, ministrja Xhaçka ripërsëriti vullnetin e saj personal dhe të qeverisë për vëmendje dhe trajtim më të mirë, jo vetëm për forcat Komando, por për të gjithë ushtarakët shqiptarë.
“Ju jemi shumë mirënjohës për misionin që përmbushni si Forca Komando dhe dua t’ju them se angazhohem personalisht, por edhe qeveria edhe kryeministri, për të treguar kujdes shumë më të madh ndaj jush, vëmendje shumë më të madhe ndaj jush, por edhe trajtim shumë më të mirë për ju.
Angazhohem që viti tjetër do të jetë një vit shumë më i mirë për komandot siç do të jetë një vit shumë më i mirë për trajtimin e Forcave të Armatosura në përgjithësi”, shtoi Ministrja.
Pjesëtarët më të rinj të forcave komando, të mbështetur nga efektivët më me përvojë të këtij batalioni, demonstruan disa veprime luftimi me armatim dhe trup me trup.
Kursin e XIII Komando e nisën 41 ushtarë nga reparte të ndryshme të FA, por arritën ta përfundojnë vetëm 30 prej tyre.
Pjesë të programit të këtij kursi janë vrapimi 27 km me pajime, mbijetesa, alpinizmi në terrene tepër të thepisura shkëmbore, njohuri armatimi dhe qitje me ngarkesë.
Në përfundim, 30 ushtarët e rinj u pajisën me stemën e re të komandove dhe vendosën beretën blu, simbol i këtij batalioni elitar të Forcave të Armatosura shqiptare./a.ç