“Me partner të tillë, kujt do t’i duheshin armiqtë”, ka thënë presidenti i BE-së, Donald Tusk, duke ia dhënë kështu goditjen më të madhe presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe vendimeve të tij, me të cilat nuk po pajtohet Bashkimi Evropian.
Presidenti i BE-së, Donald Tusk, ka goditur Trumpin për largimin nga marrëveshja rreth armëve nukleare të Iranit dhe kërcënimit të BE-së me tarifa për çelik dhe alumin.
Ky mund të konsiderohet reagimi më i ashpër që ka shkuar nga Brukseli në adresë të presidentit të paparashikueshëm amerikan. Madje, Tusk i cilësoi lëvizjet e fundit politike të Trumpit si tekanjoze dhe, sipas tij, këto po vazhdojnë edhe më tutje.
Në kryeqytetin e Bullgarisë, ku janë mbledhur liderët e 28 vendeve anëtare të BE-së për Samitin e Sofjes, ku pritet të diskutohet edhe rreth lëvizjeve të fundit politike të Trumpit, Tusk tha se duhet me patjetër të kthehet një përgjigje unifikuese ndaj “tekave të vazhdueshme të administratës amerikane”.
“Duke parë vendimin e fundit të Trumpit, dikush do të mendonte: me partnerë të tillë, kujt do t’i duheshin armiqtë”, tha Tusk, i cili më parë ishte kryeministër i Polonisë, përgatiti ”Express”. (b.an)