Federata Shqiptare e Rafting (FShR) ka reaguar për vdekjen e turistit çek në lumin Kir të Shkodrës i cili humbi pas përmbysjes së varkës. Përmes një komunikate për shtyp, Federata Shqiptare e Rafting ka shprehur keqardhjen për aksidentin e turistitëve çek gjatë lundrimit në lumin Kir dhe distancohet totalisht nga kjo mënyrë organizimi e aktiviteteve sportivo-turistike të palicensuara nga Federata.
Sipas FSHR për të shmangur përsëritjen e ngjarjeve të tilla, duhet që guidat sportive-turistike të ofrohen nga subjekte të ligjshme dhe të licensuara nga Federata Shqiptare e Rafting për organizimin e këtyre itinerareve sportivo-turistike.
Zbritja e turistëve çekë në lumin Kir sipas Federatës është bërë pa shoqërimin e guidave profesionale dhe te licensuara nga shteti shqiptar.
Nga verifikimet e saj FShR ka konstatuar dhe denoncuar disa raste ku persona të ndryshëm fizikë/ juridikë shqiptarë marrin përsipër organizimin dhe drejtimin e udhëtimeve të rafting në lumenj të ndryshëm të Shqipërisë pa qënë të licensuar, pa pasur guidat profesionale dhe pa pajisjet e kompletuara, duke vënë kështu në rrezik jetën e turistit dhe imazhin e sktivitetit të rafting dhe turizmit shqiptar.
FShR kërkon bashkëpunimin e institucioneve përgjegjëse shtetërore në ruajtjen e sigurisë së ushtrimit të rafting duke përfshihë strukturat përkatëse për kontrollin dhe verifikimin e ligjshmërisë së subjekteve që ushtrojnë këtë aktivitet sportivo-turistik në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Redaksia Online
(JavaNews.al)