Të rinjtë do të jenë zëri i komunitetit në Bashkinë e Tiranës duke u bërë ambasadorët më të mirë.
Bashkia e Tiranës ka nisur një fushatë intensive takimesh me të gjithë senatorët e shkollave të rrethit të Tiranës për njohjen me punën dhe projektet e Bashkisë së Tiranës për të rinjtë si dhe për koordinimin dhe adresimin e saktë të shqetësimeve që ata kanë.
Një grup senatorësh të shkollave u pritën në Bashkinë e Tiranës nga Aspasjana Kërxhalli, Drejtoresha e Rinisë pranë Bashkisë së Tiranës dhe koordinatori për të rinjtë Trëndafil Brati, për të dëgjuar kërkesat e nxënësve të shkollave të kryeqytetit si dhe nismat që ata dëshirojnë të vënë në zbatim duke marrë edhe mbështetjen e plotë nga ana e Bashkisë së Tiranës.
Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një sërë nismash për afrimin e të rinjve me politikbërjen, mes të cilave edhe “Një ditë në Bashkinë e Tiranës”, ku të rinjtë ftohen për të kaluar një ditë në Bashkinë e Tiranës, për të parë se çfarë bën një drejtues i bashkisë në një ditë pune të zakonshme, ndërsa kanë mundësi që në fund të kësaj eksperience të ofrojnë idetë e tyre për atë që duhet të ndryshojë në funksionimin e administratës dhe të jetës së qytetit.
a.ç